12:50 / E Mërkurë, 12 Qershor 2019 / indeksADMonline

Veseli: Kosova do të jetë gjithmonë, kudo dhe kurdo me SHBA-të

 Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli tha në ceremoninë qendrore për 20 vjetorin e çlirimit se liria e Kosovës është meritë e dëshmorëve të UÇK-së dhe ndihmës së madhe të SHBA-së.

 “Sot, ne festojmë 20-vjetorin e çlirimit të Kosovës, duke pasur në mesin tonë miqtë më të mëdhenj të lirisë sonë, të kombit tonë, të atdheut tonë: Presidentin Clinton, Zonjën Sekretare Albright, Gjeneralin e Shpresës – Clark, përfaqësuesit e tashëm të administratës amerikane, përfaqësuesit nga shumica e vendeve mike të Kosovës”, tha Veseli.

 Ai tha se bota perëndimore në krye me SHBA-të para dy dekadash shpëtian kombin shqiptar.

 “Ju, 20 vjet më parë, shpëtuat një komb të tërë. Shpëtuat fëmijët e pastrehë dhe të frikësuar. Prindërit e pashpresë dhe të tmerruar. Nënat, gratë, vajzat e pambrojtura. Një popull të tërë nga gjenocidi. Dhe, mbi të gjitha, i dhatë kuptim vlerave njerëzore, për të treguar se askush, asnjëherë, nuk do të shtypet, nëpërkëmbet dhe rrezikohet vetëm pse tjetri mund ta bëjë këtë dhe është më i fortë. Garant i këtij humanizmi qëndron gjithmonë vendi i lirisë dhe demokracisë në botë – Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, tha Veseli.

 Sipas tij, sot krahas gëzimit të madh, kujtojmë edhe sakrificën tonë kombëtare, mijëra jetë, të burrave dhe grave të Kosovës, të flijuara për lirinë tonë.

 “Përulemi para tyre dhe i jemi falënderues përjetë sakrificës së tyre sublime.  Lavdi e përjetshme të rënëve tanë për liri! Respekt për luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për NATO-n e udhëhequr nga SHBA-të, për të gjitha vendet demokratike, për njerëzit e mirë kudo në botë. Sot është një ditë e veçantë. Është një ditë e mrekullueshme. Një ditë që do të mbetet përgjithmonë në kujtesën e kombit tonë. Sot, ne festojmë 20-vjetorin e çlirimit të Kosovës, duke pasur në mesin tonë miqtë më të mëdhenj të lirisë sonë, të kombit tonë, të atdheut tonë: Presidentin Clinton, Zonjën Sekretare Albright, Gjeneralin e Shpresës – Clark, përfaqësuesit e tashëm të administratës amerikane, përfaqësuesit nga shumica e vendeve mike të Kosovës”, theksoi Veseli.

 Ai vlerësoi se Clinton, Albright e gjeneral Clark, 20 vjet më parë, e bënë atë që në pak raste e ka parë historia e mbarë njerëzimit.

“U ngritët në këmbë për të shpëtuar një popull, që po përballej me shfarosjen, vetëm e vetëm pse donte të jetonte i lirë, si të gjithë popujt tjerë. Ju ishit me popullin tonë, në natën më të errët dhe në orën më të ligë të historisë së tij. Ne jemi sot këtu: Falë vendosmërisë suaj, si lider i botës së lirë. Falë vlerave mbi të cilat qëndrojnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Falë ëndrrës së madhe të kombit amerikan për një botë të lirë e në paqe.

Dhe NE, qytetarët e Kosovës,​ do t’ju kujtojmë përherë! Kosova do të jetë gjithmonë, kudo dhe kurdo me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në shumë raste, madhështia e veprave njerëzore e tejkalon forcën e fjalëve për t’i shprehur ato. Por, atë që s’e bëjnë fjalët tona sot, e ndjejnë zemrat tona, e ndjen shpirti i një kombi të lirë që përkulet me respektin më të madh për Ju dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ju, 20 vjet më parë, shpëtuat një komb të tërë. Shpëtuat fëmijët e pastrehë dhe të frikësuar. Prindërit e pashpresë dhe të tmerruar. Nënat, gratë, vajzat e pambrojtura.

Një popull të tërë nga gjenocidi. Dhe, mbi të gjitha, i dhatë kuptim vlerave njerëzore, për të treguar se askush, asnjëherë, nuk do të shtypet, nëpërkëmbet dhe rrezikohet vetëm pse tjetri mund ta bëjë këtë dhe është më i fortë. Garant i këtij humanizmi qëndron gjithmonë vendi i lirisë dhe demokracisë në botë – Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

 Sot, Kosova është vend i lirë, demokratik, faktor stabiliteti e paqeje! Në këto 20 vjet liri, Kosova ka ecur shumë përpara. Jemi bërë shtet i pavarur e sovran, që beson e punon në një vizion të vetëm, në vizionin euro-atlantik. Në çdo hap që kemi hedhur, qëndron partneriteti i vazhdueshëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe vendeve mike perëndimore, në veçanti Britanisë së Madhe, Gjermanisë, Japonisë, Francës, Italisë, dhe anëtarëve të Botës Perëndimore. 

Në këtë ditë të madhe, ne u shprehim atyre mirënjohjen e thellë dhe vendosmërinë tonë për të qenë pjesë e vlerave euro-atlantike.  Lidhja e Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Botën Perëndimore është më e madhe se partneritetet e zakonshme strategjike që lindin në marrëdhëniet mes kombeve.

 Lidhja e Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Perëndimin është lidhje shpirtërore. Është besim i popullit tonë. Është bekim nga Zoti. Është vetë identiteti ynë shtetëror e kombëtar. Është ëndrra jonë e madhe që të jemi aty ku na takon, pjesë e Botës Perëndimore.  

I nderuar President Clinton,  

 Kosova e para 20 vjetëve, Kosova e sotme, Kosova e nesërme, ka qenë dhe do të mbetet trashëgimi e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Të tillë do ta ruajmë përgjithmonë. Për lirinë tonë. Për paqen dhe fqinjësinë e mirë. Për një botë që merr kuptim nga idealet amerikane të lirisë e dinjitetit njerëzor. Të falemnderit, hero i kombit tonë!

 Gëzuar përjetë lirinë, Kosovë!