12:11 / E Mërkurë, 14 Gusht 2019 / indeksADMonline

Veseli në takim lamtumirës me ambasadorin O’Connell dhe Marija Kapitanoviq, mirënjohës për kontributin e tyre

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli sot ka pritur në një takim lamtumirës ambasadorin britanik, Ruairi O’Connell dhe atë kroate, Marija Kapitanoviq.

Veseli ka shprehur mirënjohjen për kontributin e tyre gjatë kohës sa kanë shërbyer në Kosovë, derisa ka thënë se Kosova e arriti pavarësinë e saj fal luftës së guximshme të UÇK-së nga njëra anë dhe duke ndërtuar një koalicion të fuqishëm me partnerët ndërkombëtarë

Ky është shkrimi i tij i plotë i bërë në llogarinë Facebook:

Mëngjesin e sotshëm e kalova me disa miq ambasadorë që po përfundojnë mandatin e tyre në Kosovë. Ambasadorit britanik, Ruairí O’Connell dhe ambasadores kroate, Marija Kapitanoviq, iu shpreha mirënjohjen për kontributin e dhënë gjatë kohës që kanë shërbyer në Kosovë dhe iu urova punë të mbarë në detyrat e tyre të ardhshme.

Kosova e arriti pavarësinë e saj fal luftës së guximshme të UÇK-së nga njëra anë dhe duke ndërtuar një koalicion të fuqishëm me partnerët ndërkombëtarë nga ana tjetër. Një nga temat për të cilat qytetarët do të duhet të vendosin në zgjedhjet e ardhshme është nëse Kosova do të vazhdojë të forcojë marrëdhëniet e saj të veçanta me aleatët tanë apo do t’i trajtojë partnerët tanë si të ishin armiq dhe të përpiqet të mbijetojë e vetmuar.

Unë gjithmonë kam besuar në partneritet. Unë mendoj se për të pasur sukses dhe prosperitet, duhet të ruajmë marrëdhëniet speciale që kemi ndërtuar me SHBA-të dhe BE-në. Unë jam i bindur se duke dëmtuar këtë lidhje dëmtohet Kosova, prandaj ne nuk duhet ta lejojmë që të ndodh kjo gjë.