18:38 / E Mërkurë, 10 Tetor 2018 / indeksADMonline

Veseli: PDK është vlerë dhe shpresë për zhvillimin e Kosovës

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, tha në hapje të procesit zgjedhor partiak se Dekada e Re nuk është vetëm një fjalë, vetëm një moto, por është mision dhe shtytje drejt përmirësimit të jetës së secilit qytetar të vendit tonë.

“E di se është rrugë e gjatë dhe plot sfida. Por, kjo rrugë e Dekadës së Re është e pandalshme”, ka thënë Veseli.

Ai ka uruar sot edhe ditëlindjen e themimit të PDK-së, duke falënderuar secilin qytetarë që ka mbështetur PDK-në që nga themimi.

Fjalimi i plotë i liderit të PDK-së Kadri Veseli:

Të nderuar anëtarë të Partisë Demokratike të Kosovës,

Anëtarë të Kryesisë, Këshillit Drejtues, Kryetarë të Degëve, Deputetë, Ministra,

Të dashur të pranishëm,

Sot është një ditë e veçantë për Partinë Demokratike të Kosovës.

Është ditë feste për ne dhe mbështetësit tanë të shumtë anekënd Kosovës.

Sot, ne fillojmë në mënyrë solemne zgjedhjet demokratike brenda partisë sonë.

Dhe, po sot, festojmë me krenari 19-vjetorin e themelimit të Partisë Demokratike.

Më lejoni që në emrin tim, tuajin dhe strukturës sonë, të falënderojmë nga zemra të gjithë aktivistët dhe mbështetësit tanë, familjet e Kosovës, për besimin dhe përgjegjësinë që na kanë dhënë për vendin në tërë këto vite rrugëtimi të përbashkët.

Sot, po ashtu, dëshiroj ta falënderoj edhe ish Kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, i cili, së bashku me të gjithë ne, i dha shumë Kosovës dhe partisë tonë. Presidentin e vendit, Hashim Thaçin!

Të nderuar demokratë,

Nga sot, bashkë me festën, ne nisim edhe një rrugëtim të ri në Partinë Demokratike të Kosovës dhe me Partinë Demokratike të Kosovës.

Një rrugëtim të qartë dhe me përgjegjësi, për partinë tonë dhe për Kosovën.

Kemi arritur deri këtu me suksese dhe sfida që pakkush ka menduar se do t’i kalojmë. Por, edhe të vetëdijshëm se çfarë duhet të bëjmë më shumë dhe më mirë, me orientime të qarta për të ardhmen, për vendin dhe fëmijët tanë.

Kosova – shtet i lirë dhe sovran, ku ligji dhe ekonomia e lirë përcaktojnë të ardhmen tonë perëndimore – janë të qarta për ne.

Vizoni ynë për të ardhmen dhe njerëzit e mirë të këtij vendi – të cilët do të përpiqemi t’i mbajmë dhe afrojmë në strukturat udhëheqëse të partisë sonë – do të jenë pjesë e përkushtimit dhe përpjekjes sonë të re, që do ta arrijmë së bashku, ne të gjithë, në këtë proces zgjedhor, anekënd vendit tonë.

Kemi kaluar së bashku 19 vjet. Janë 19 vjet të sfidave të përbashkëta. Jo të lehta.

Nga një vend i pas-luftës, pa status, me pak resurse dhe shumë barriera, i shkatërruar pothuajse tërësisht, me plagë të mëdha e dëmtime në njerëz, ekonomi e prona, jemi shndërruar në vend të lirë e të sigurt për qytetarët tanë, në shtet të pavarur dhe sovran:

– Me stabilitet makro-ekonomik dhe makro-financiar.

– Me borxhin publik më të vogël në rajon.

– Me infrastrukturën më moderne në rajon, të ndërtuar tërësisht në këto 10 vjet.

– Me investimet vetanake në rrugë, shkolla, spitale.

– Me status dhe dinjitet të punonjësve publikë, në të gjitha kategoritë, nga mësuesit deri te profesorët akademikë; nga infermierët deri te specialistët; nga bujqit deri te inovatorët dhe inxhinierët e IT-së, nga policët deri te ushtarët.

– Me integrime të hapura në organizata ndërkombëtare.

– Me artistë dhe sportistë të shquar.

– Me perspektivë të qartë euroatlantike si vend, çdo ditë më i ndërtuar, më i kamur dhe më i sigurt.

Të nderuar demokratë,

Çdo gjë e madhe që është bërë gjatë këtyre viteve në Kosovë, mban edhe vulën e përkushtimit dhe vendosmërisë së Partisë Demokratike të Kosovës, lidershipit, anëtarësisë dhe strukturave të saj.

Njerëzit tanë kanë qenë të parët në të gjitha proceset e mëdha nëpër të cilat ka kaluar vendi.

Dija dhe mundi i tyre kanë lënë shenja të pashlyeshme në ri-ngritjen tonë si shtet, shoqëri, si komb.

Çlirimi, pavarësia dhe shtet-ndërtimi, modernizimi i vendit – janë tregime të mëdha të lidhura me lidershipin e Partisë Demokratike të Kosovës.

Janë merita të pamohueshme të Partisë Demokratike të Kosovës.

Është historia e përbashkët e Kosovës dhe e partisë sonë.

Ne kemi punuar shumë.

Pa modesti, kemi punuar shumë dhe më shumë dhe më mirë se gjithë të tjerët si parti në Kosovë.

Prandaj, edhe jemi sulmuar më shumë se gjithë të tjerët.

Ndjej respekt për ata që me kritikat e tyre kanë dashur që ne ta bëjmë edhe më mirë punën tonë. Do i dëgjojmë mirë dhe qartë. Ata janë miqtë e Partisë Demokratike të Kosovës. Ata janë njerëz që e duan Kosovën.

Por, na kanë sulmuar dhe na sulmojnë edhe ata që kurrë asgjë s’kanë bërë për Kosovën.

Na kanë sulmuar ata që nuk kanë dashur që Kosova të ketë liri, te ecë përpara.

Na kanë sulmuar edhe ata që nuk kanë besuar në lirinë dhe shtetin e pavarur e sovran të Kosovës si arritje.

Por, na kanë sulmuar edhe ata që vënë në pikëpyetje lirinë, shtetin dhe simbolet e Kosovës.

Ka prej tyre që natë e ditë shpifin kundër nesh.

Natë e ditë janë marrë me propagandë kundër nesh.