11:26 / E Enjte, 09 Prill 2020 / indeksADMonline

Veseli për Ditën e Kushtetutës: Ky dokument është aty për të na mbrojtur nga despotët

Miratimi i Kushtetutës së Kosovës 12 vite më parë, sipas kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli, shënoi një moment të rëndësishëm historik për konsolidimin e shtetësisë sonë si dhe për të ardhmen e popullit tonë.

“Ne krenohemi që kemi një ndër kushtetutat më moderne, e cila ka mishëruar praktikat më të avancuara dhe standardet më të larta në Evropë. Ky dokument themeltar i shtetit tonë, bazohet tek parimi i konstitucionalizmit, një ide evropiane që zanafillën e ka në epokën e iluministëve, të cilët nëpërmjet këtij parimi u përpoqën dhe ia dolën me sukses të kufizonin absolutizmin monarkik”, ka thënë Veseli.

Ai tha se në thelb të konstitucionalizmit qëndron kontrolli dhe kufizimi i pushtetit, përcaktimi i ndarjes së pushteteve si dhe mbrojtja e të drejtave themelore të njeriut.

“Prandaj duhet kujtuar ky fakt, sot e në të ardhmen, ndaj kujtdo që manifeston tendenca despotike e autokratike që synojnë ta shkelin sundimin e ligjit në Kosovë. Urime të gjithëve për 9 prillin, Ditën e Kushtetutës së Republikës së Kosovës!”, ka thënë ai./IndeksOnline/