14:00 / E Enjte, 25 Prill 2019 / indeksADMonline

Veseli reagon për Jovanoviq: Serbia po nxitë urrejtje e pasiguri tek serbët e Kosovës

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli ka reaguar pas lajmit se autoritetet e Serbisë kanë ndaluar në kufi zyrtarin e Qeverisë së Kosovës, Srdjan Jovanoviq.

Sipas tij, marrja në pyetje e tij është veprim i papranueshëm dhe që synon të përndjekë serbët e Kosovës që duan të integrohen në shtetin tonë, transmeton Indeksonline.

Veseli ka kërkuar nga Bashkimi Evropian që të reagoj duke kërkuar nga Serbia që të ndalë këto veprime provokuese.

Postimi i plotë:

Ndalimi dhe marrja në pyetje nga autoritetet e Serbisë të një zyrtari tjetër të Partisë Liberale Serbe, Srdjan Jovanoviq e që është edhe anëtar i Qeverisë së Republikës së Kosovës është veprim i papranueshëm dhe që synon të përndjekë serbët e Kosovës që duan të integrohen në shtetin tonë. Ky është një akt që ka për qëllim nxitjen e urrejtjes dhe pasigurisë tek serbët e Kosovës.

Bashkimi Evropian duhet të reagojë dhe të kërkojë nga Serbia që të ndalë këto veprime provokuese. Këto akte dëshmojnë mungesë të vullnetit të Serbisë për të dialoguar e për t’u pajtuar. Veprime të tilla nuk duhet të përsëriten më./Indeksonline/