75 Mall Live Search
11:11 / E Shtunë, 29 Shtator 2018 / indeksADMonline

Veteranët e Dukagjinit: Prokuroria t’i kërkojë falje luftëtarëve të ofenduar

OVL UÇK Dukagjin, së bashku me të gjithë luftëtarët që përkrahën protestën e 26 shtatorit në Pallatin e Drejtësisë, kanë përshëndetur nismën e Kryeprokurorit të Shtetit, Aleksndër Lumezi për fillimin e hetimeve për zbulimin se kush publikoi ilegalisht të dhënat personale të veteranëve.

Sipas njoftimit të kësaj organizate, kjo nismë, ishte dhe kërkesa e parë e protestës së Luftëtarëve.

“FALEMINDERIT KOSOVË”, shprehen ata.

“Ne inkurajojmë Prokurorinë, që të bëj edhe hapin e dytë, duke kërkuar falje ndaj të gjithë Luftëtarëve të cilët u ofenduan publikisht nga ky lëshim i papërgjegjshëm dhe e gjetën veten padrejtësisht në “listat e mashtruesve”. Gjithashtu, ne edhe njëherë shprehim vullnetin tonë që të kontribuojmë në përmirësimin e gabimeve të mundshme në procesin e verifikimit të veteranëve”, thuhet në njoftimin e OVL-UÇK-së Dukagjin.

Në fund, ata theksojnë duke shpresuar për dobi të këtij procesi, në  lirimin e shpejt të bashkluftëtarit të tyre,  Shkumbin Demaliaj.

Ndryshe, Prokuroria në Prishtinë ka pranuar kërkesën e Prokurorisë së Shtetit, respektivisht kryeprokurorit, Aleksandër Lumezi, për fillimin e hetimeve lidhur me publikimin e listave të veteranëve mashtrues të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Kryeprokurori i Themelores, Imer Beka ka thënë për “Indeksonline” se kjo çështje është deleguar në kompetencë të prokurorisë që ai e udhëheqë. Sipas tij, do të vërtetohen të gjithë akerët të cilët mund të jenë të përfshirë në rastin në fjalë.

“Nga Prokuroria e Shtetit dje është pranuar në Prokurorinë Themelore në Prishtinë një  kërkesë për fillimin e hetimeve paraprake dhe  për të  vërtetuar se nga kush është bërë  publikimi i emrave të personave të përfshirë në listat e veteranëve apo të pjesëtarëve të  UÇK-së ndaj personave zyrtar në sistemin prokurorial apo gjyqësor apo personave të tjerë jashtë këtyre sistemeve nëse të njëjtit kanë kryer vepër penale”, është shprehur Beka ./Indeksonline/