21:55 / E Martë, 17 Tetor 2017 / indeksADMonline

Veteranët fallco po shtohen përditë, kostoja mund të arrijë 100 milionë euro

Deputeti i LDK-së, njëherësh kryetari i Komisionit për Buxhet dhe Financa në Kuvendin e Kosovës, Lumir Abdixhiku, është shtyrë ta jap edhe një sqarim për qytetarët se, pse ai dhe LDK-ja nuk e mbështesin Projektligjin për rishikimin e buxhetit.

Me anë të një statusi në Facebook, ai ka sqaruar se fondeve të sigurimeve shëndetësore u janë hequr miliona euro për të veteranët fallco, të cilët siç ka thënë ai, po shtohen përditë, shkruan AktivPress.

Deri tash, sipas tij, kostoja ka arritur në 70 milionë euro, por me këtë trend të rritjes së numrit të veteranëve, mund të arrijë në 100 milionë euro.

Postimi i plotë i Abdixhikut në Facebook:

Qenkan çu deputetët e ministrat e Kadrisë rend, me akuza ndaj meje e LDK-së për kritikat e bëra sot ndaj buxhetit dhe Ligjit të Veteranëve.

T’ua shpjegoj për pak qytetarëve, se këta s’marrin vesh.

– E para, buxhetit u janë hequr miliona euro nga fondet e parapara të sigurimeve shëndetësore për t’i mbuluar listat e fryra të veteranëve. Derisa spitalet na mbesin pa barna, pa penj e pa oksigjen, mafia e pushtetit i zgjeron listat fallco për qëllime zgjedhore.

– E dyta, listat e veteranëve janë fryrë. Në to janë futur padrejtësisht me mijëra individë – militantë partiak – që s’kanë patur lidhje me luftë. Për këtë veprim, Prokuroria e shtetit ka nisur edhe hetim. Ne sot të tillët i paguajmë; plot 50 mijë. Sot derisa flasim, certifikatat e veteranëve lëshohen ende; e kostot buxhetore kanë arritë në 70 milion euro në vjet. Me këtë ritëm do të mbërijmë deri në 100 milion. Këta s’kanë kufi.

– E treta, LDK ka miratuar ligjin me të cilin kërkon riklasifikimin e veteranëve. Pra ligjin që bën ndarjen e atyre që kanë luftuar prej atyre që kanë kënduar e qëndruar jashtë Kosovës – e sot marrin hakun e luftëtarëve tanë si veteranë. Ky riklasifikim duhet të ndodhë; listat duhet të pastrohen.

Askush s’mund të plaçkisë më në emër të luftës. Askush. Këta që kanë falimentuar PDK-në e kanë të lehtë ta falimentojnë Kosovën; por këtë s’mund ta lejojmë./AktivPress