10:44 / E Mërkurë, 04 Tetor 2017 / indeksADMonline

Vetësabotazhi i opozitës në rastin Rikalo

Deputetët opozitarë u treguan joseriozë dhe bënë lojë politike pasi nuk e votuan mocionin e kërkuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës, për shkarkimin e ministrit të Bujqësisë, Nenad Rikalo, vlerësojnë njohës politikë në Kosovë.

Kuvendi i Kosovës dje zhvilloi interpeleancë për kryeministrin Ramush Haradinaj lidhur me akuzat që po rëndojnë mbi ministrin e tij për keqtrajtim të qytetarëve të lagjes Dardania në Prishtinë, gjatë periudhës së luftës së fundit në Kosovë, shkruan AktivPress.

Pas debatit disa orësh, shumica e deputetëve të opozitës kërkuan që detyra e ministrit Rikalo të pezullohet derisa të dëshmohet pafajësia ose fajësia e tij ndaj akuzave të qytetarëve, por kur erdhi koha të votohet për shkarkimin e tij, opozita nuk votoi mjaftueshëm gjë që rezultoi me rënien e mocionit.

Këtë veprim të opoziës, analisti politik, Haki Abazi e quan obstruksion dhe vetësabotazh.

“Para zgjedhjeve lokale askujt nuk i konvenon të bie qeveria por ajo që bëri opozita dje është një obstruksion dhe vetësabotazh. Nëse nuk kanë qenë seriozë nuk është dashur të luhet me këtë gjë”, ka deklaruar Abazi për AktivPress.

Mëgjithatë sipas tij, këto ngjarje politike kanë rrjedhur si pasojë e mungesës së Prokurorisë proaktive dhe të pavarur.

“Mosfunskionimi i shpejtë e proaktiv i Prokurorisë sjell në këso situata që lëkund edhe qeveri dhe institucione. Kjo situatë nuk është e mirë as për pozitën e as për opozitën. Janë disa të vërteta që janë duke e karakterizuar këtë skene politike. Z. Haradinaj ka bërë qeveri me djallin, një djalli i PDK që ka sjellur ‘ujkun në torishtë” që është djalli tjetër Lista Srpska”, thekson ndër të tjerash ai.

Se veprimi i deputetëve opozitarë ishte një lojë politike, e thekson edhe njohësi i çështjeve politike në vend, Imer Mushkolaj.

Në një deklaratë për AktivPress, ai thotë se deputetët e opozitës u treguan joseriozë në rastin Rikallo.

“Mungesa e tyre në votim dëshmoi se gjithë atë debat ata më shumë e zhvilluan për poenë politikë, se sa që vërtet donin që Rikallo të mos jetë pjesë e qeverisë. Përndryshe, do të duhej të votonin shkarkimin e tij”, thotë Mushkolaj.

Kryeministri Ramush Haradinaj gjatë interpelancës së djeshme në Kuvend ka deklaruar se tri institucioneve relevante të drejtësisë, si Prokuroria e Shtetit, Agjencia e Kosovës për Inteligjencë (AKI) dhe Policia e Kosovës, sipas tij kanë deklaruar se nuk kanë asnjë të dhënë se ministri Rikallo ka ushtruar dhunë ndaj qytetarëve shqiptarë gjatë luftës.

Përkundër këtyre të dhënave, sipas analistit Haki Abazi, ministri Rikalo duhet të lirohet nga detyra.

“Të gjitha ato ankesa dhe dëshmi të qytetarëve duhet mbledhur nga prokuroria dhe të analizohen nëse ka dëshmi të majftueshme për të hapur rastin. Nëse po atëherë njoftohet Qeveria dhe Parlamenti dhe z. Rikallo duhet të lirohet nga detyra për të lejuar drejtësinë të kryej punën e saj”, shprehet ai.

Ndërkaq sipas Imer Mushkolajt, janë dy vendime që mund të merren për rastin Rikalo.

“Kryeministri Haradinaj mund ta suspendojë nga pozita ministrin, derisa organet përkatëse të sqarojnë pretendimet ndaj tij, por edhe Rikallo mund të tërhiqet nga pozita, derisa të vendoset për rastin e tij”, thekson ai.

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural në Qeverinë e Kosovës, i cili është anëtar i Listës Serbe, Nenad Rikalo gjatë debatit të djeshëm në Kuvend nuk është deklaruar fare.

Ndërsa ai javë më parë i ka mohuar akuzat ndaj tij, duke shtuar se deklaratat e qytetarëve të Prishtinës janë të pasakta./AktivPress/Emirjeta Vllahiu