10:51 / E Martë, 12 Qershor 2018 / indeksADMonline

Vetëvendosje në Prizren tërheq padinë kundër Shaqir Totajt

Lëvizja Vetëvendosje! ka tërhequr padinë kundër kandidatit të PDK-së për kryetar të Prizrenit, Shaqir Totaj. Lënda është mbyllur nga Gjykata Themelore në Prizren.

“Padia e paditësit Lëvizja Vetëvendosje-Prizren e parashtruar kundër Shaqir Totajt nga Prizreni është tërhequr”, thuhet në aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prizren

Lëvizja Vetëvendosje! në tetor të vitit të kaluar pati, dorëzuar në Prokurorinë Themelore në Prizren kallëzimin penal kundër kandidatit për kryetar të Prizrenit nga radhët e PDK-së, Shaqir Totaj.

Kallëzimi penal ishte bërë për gjuhën e përdorur gjatë fushatës nga Totaj.

Vetëvendosje! në atë kohë publikoi një audio-incizim që pretendonte se dëgjohet kandidati i PDK-së për kryetar të Prizrenit, Shaqir Totaj, teksa thotë se “ka ardhur koha që qytetin e Prizrenit mos me ja lonë në dorë njerëzve që s’dinë me fol shqip”, duke iu referuar Mytaher Haskukës, kandidatit të VV-së për kryetar të Prizrenit.
Po ashtu, në të njëjtin audio-incizim, sipas degës së VV-së në Prizren, dëgjohet Shaqir Totaj teksa flet me nënçmim për komunitetin turk.

“A mendon se dikush tjetër, turqelia që s’din me fol shqip, ka me ardh me ta rregullu çështjen e ujit e t’rrymës?”, dëgjohet teksa thotë Totaj në një prononcim tjetër, i cili, sipas LVV-së, është bërë në një tubim parazgjedhor në Has.

“Aludimi është i qartë, ai shpif për kandidatin e LVV në Prizren, z. Mytaher Haskuka, gjoja nuk është shqiptar. Pos shpifjes, mesazh i tij shpërfaq një gjuhë të padëgjuar të urrejtjes, gjuhë përçarëse dhe fashiste. Këto incizime na kanë sjellë qyetarët tanë të cilët kanë qenë tejet të frustuar nga një gjuhë e tillë fashiste e përçarëse”.

Shaqir Totaj(PDK) dhe Mytaher Haskuka (VV), në zgjedhjet lokale të vitit të kaluar kanë qenë kandidatë për kryetar të Prizrrenit.

Totaj humbi garën e balotazhit përballës Haskukës, për pak vota.

Vetëvendosje! pas fitores së Haskukës, nuk është marrë me padinë e ngritur kundër Totajt.

Ajo nuk i është përgjigjur as kërkesës së Gjykatës që të plotësojë e përmisojë padinë.

Zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prizren, Afërdita Kicaj tha se në shkresat e lëndës ekziston konstatimi(fletë- dërgesa), se paditësi e ka pranuar kërkesën e gjykatës për përmisiomin dhe plotësimin e padisë.

“ Paditësi nuk është përgjigjur në kërkesën e gjykatës, në kohën e paraparë me ligj, prandaj edhe gjykata ka marrë aktvendim që kjo çështje kontestimore është e tërhequr”, tha Kicaj për “PrizrenPress”.

Kandidati i PDK-së për kryetar të Prizrenit, Shaqir Totaj, gjatë fushatës zgjedhore, arsyetohej se fjalimi i tij në Has , ishte nxjerrë nga kontesti. Ai, padinë e Vetëvendosjes e vlerësonte politike. /PrizrenPress.com/