22:54 / E Enjte, 09 Maj 2019 / indeksADMonline

Vettel nuk heq dorë nga titulli

Ferrari e ka nisur mjaft keq sezonin e ri të Formulës 1, pasi në 4 garat e para nuk ka fituar asnjë, teksa numëron vetëm dy podiume (vende të treta), nga një me secilin prej pilotëve.

Megjithatë këtë fundjavë do të jetë radha e garës së Barcelonës dhe piloti gjerman i “kokëkuqes”, Sebastian Vettel shprehet mjaft optimist, teksa shton se nuk ka hequr dorë nga titulli.

“E kemi nisur keq, por po bëjmë disa modifikime në makinë, për ta bërë edhe më të shpejtë. Në Baku dhamë sinjale të mira, ndërsa në Spanjë presim të jemi shumë më të shpejtë. Kanë kaluar vetëm 4 gara dhe nuk mund të flasim për mbyllje të garës për titull, pasi gjithçka mund ta kthejmë në favor, nëse përmirësojmë makinën”, tha Vettel.

Piloti gjerman u pyet edhe në lidhje me konkurrencën e brendshme, me francezin Leclerc, por theksoi se nuk ka aspak rivalitet me të dhe se mirëpret përmirësimin e tij të përjavshëm.