22:12 / E Hënë, 30 Prill 2018 / indeksADMonline

Vetting-u, 70 % e punonjësve të policisë dorëzojnë formularët

Ministri i brendshëm Fatmir Xhafaj, ka takuar ditën e sotme strukturat e policisë së komisariatit të Korçës të cilët kanë plotësuar 70 përqind të formularëve të Vetting-ut.

Gjatë një prononcimi për media, ministri Xhafaj u shpreh se vetingu është një proces i domosdoshëm në radhët e policisë dhe se po kryhet më së miri në radhët e prokurorisë dhe gjyqtarëve.

“Së pari, duhet të biem dakord njëherë që vetingu është shumë i domosdoshëm në radhët e policisë, ashtu sikundër është i domosdoshëm dhe po kryhet më së mirë në radhët e prokurorëve dhe gjyqtarëve. Duke qenë një proces pak i ndërlikuar nga pikëpamja e të dhënave që kërkohen, ka vështirësitë e veta, por ne jemi munduar që të ndërtojmë një proces sa më të kujdesshëm. Që do të thotë, e kemi lehtësuar procesin nga të dhënat e panevojshme dhe kryesisht ato që do të duhej të merreshin si dokumente mbështetës, janë ndërtuar që të merren me vetëdeklarim nga punonjësit e policisë.

Së dyti, e kemi bërë të qartë për të gjithë strukturat e policisë për të gjithë ata që do t’i nënshtrohen procesit të Vetting-ut në Polici, në Gardën e Republikës dhe në SHÇBA që do të tolerohen edhe gabime që do të mund të vijnë edhe për shkak të mos plotësimit nga pikëpamja teknike e formularëve përkatës. Komisionet e vlerësimit mund t’u japin kohë në proces për t’i plotësuar gradualisht.” I pyetur për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar të cilat janë pjesë e 5 prioriteteve që Shqipëria duhet të përmbushë për t’u integruar në BE, Ministri vlerësoi arritjet e policisë së shtetit të cilat janë përshëndetur edhe nga Komisioni Evropian.

“Unë besoj që edhe korrupsioni, edhe krimi i organizuar, nuk është një çështje që goditet me fushata, as një çështje punë orësh apo punë ditësh, përkundrazi. Janë të dyja vepra penale, ose ajo lloj veprimtarie kriminale që kërkon një punë goxha të vështirë për ta identifikuar dhe për ta provuar si të tillë.

Por nëse e shohim nga pikëpamja e rezultateve, për të gjithë tashmë është i qartë fakti që jo thjesht ajo çfarë themi ne, por ajo çfarë thotë Komisioni Europian, është e zeza në të bardhë dhe vlerësimet për atë çfarë është duke u bërë në këtë fushë dhe sidomos në çështje në lidhje me luftën kundër krimit të organizuar, edhe në kuadrin e operacionit ‘Forca e Ligjit’, janë pozitive./ATSH/