11:35 / E Hënë, 18 Dhjetor 2017 / indeksADMonline

Pas reagimit të LDK-së, KQZ publikon kopjet e skanuara të rezultateve të rivotimit në Istog

Pas reagimeve të Lidhjes Demokratike të Kosovës se është bërë gabim në KQZ gjatë numërimit të votave, kjo e fundit ka publikuar edhe kopjet e skanuara të Formularëve të Përputhjes së Rezultateve të rivotimit për kryetar të komunës së Istogut.

Këtë gjë ata thonë se po e bëjnë me qëllim të rritjes së transparencës dhe besueshmërisë në procesin zgjedhor, transmeton Indeksonline.

Më poshtë gjeni njoftimin e plotë të tyre dhe linkun me kopjet e skanuara:

Me qëllim të rritjes së transparencës dhe besueshmërinë në procesin zgjedhor, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka publikuar kopjet e skanuara të Formularëve të Përputhjes së Rezultateve (FPR) të rivotimit për kryetar të komunës së Istogut.

Kjo nuk është një shpallje e Rezultateve Përfundimtare, por janë vetëm formularë të cilët janë plotësuar në Vendvotim, më 17 dhjetor.

Rezultatet Përfundimtare do të shpallen pas numërimit të votave me kusht; votave përmes postës; votave të personave me nevoja të veçanta dhe pas përfundimit të të gjitha procedurave në Qendrën e Numërimit dhe të Rezultateve.

Kopjet e skanuara të FPR janë publikuar në këtë vegzë:

http://www.kqz-ks.org/sq/lajme/Details/390

Ndryshe, numërimi i votave përmes postës; votave me kusht dhe votave të personave me nevoja të veçanta – pritet të bëhet gjatë ditës së sotme (e hënë, 18 dhjetor) në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve. Për orën e saktë KQZ thotë se mediat do të njoftohen me kohë./Indeksonline/