14:36 / E Mërkurë, 10 Nëntor 2021 / B O

Veturat elektrike në Kosovë dëmtojnë ajrin më shumë se veturat tradicionale

Veturat elektrike janë armë që bota po e shfrytëzon për të mposhtur ngrohjen globale, por kjo nuk ka efekt në disa prej vendeve të botës, për shkak të ndotjes më të madhe të ambientit se veturat që përdorin benzinë. E Kosova është më e dobëta në këtë aspekt në Evropë, kanë treguar të dhënat e fundit.

Në Kosovë veturat elektrike emetojnë më shumë dyoksid karboni, sepse rryma që merret për mbushje, ka për burim thëngjillin dëmtues për ajrin, sipas të dhënave të “Radiant Energy Group”.

Gjithandej në Evropë, situata është më e mirë.

Performuesit më të mirë ku një veturë elektrike ka rezultat më të mirë për ambientin se ato me djegie të brendshme janë Zvicra me raport 100 për qind të rënies së emetimeve në raport me veturat me benzinë, Norvegjia me 98 për qind, Franca me 96, Suedia e Austria, sipas studimit të shpërndarë me agjencinë “Reuters”.

Më keq janë Qiproja me katër për qind, Serbia 15, Estonia 35 e Holanda 37. Në minus total janë Kosova dhe Polonia. Krejt kjo për shkak se Kosova është vendi ku qymyri është burimi kryesor i energjisë. Dhe shfrytëzimi i kësaj rryme është më i dëmshëm për ambientin se veturat me benzinë.

Në shtetet si Gjermania apo Spanja me investime të mëdha në energjinë e ripërtërishme kursimi i karbonit varet nga koha e ditës kur mbushet vetura elektrike me rrymë. Mbushja pasdite – kur dielli dhe era janë mbizotërues – kursejnë 16 deri 18 për qind më shumë karbon sesa natës.

Analiza ka dalë nga përdorimi i të dhënave publike të Rrjetit Evropian të Operatorëve të Sistemit të Transmisionit për Energji (Entso-E) dhe Agjencisë Mjedisore të Evropës. Raporti tregoi se si industria e automobilizmit mund të reduktojë emetimet e karbonit për të shmangur ndotjen e mëtejme.