Visar Bekaj flet pas përjashtimit me të kuq, tregon se pse qau?

Visar Bekaj u shndërrua në protagonistin e derbit Gjilani – Prishtina, në momentin kur u ndëshkua me karton të kuq direkt.
Minuta e 47-të e ndeshjes zhvillohej kur Bekaj liroi portën e tij për të larguar rrezikun, i cili i kanosej Prishtinës nga Gerhard Progni, e cila doli të jetë fatale për të.
Numri një i Prishtinës në një prononcim për Insportin është shprehur shumë i zhgënjyer, duke mos dashur shumë ta komentonte vendimin e gjyqtarit, pasi sipas tij “diçka që është parë qartë nuk ka çka të komentojë”.
“Jam shumë i dëshpëruar me atë së çfarë ndodhi sot gjatë ndeshjes dhe pas. Diçka çka është parë qartë, unë besoj se nuk do edhe shumë koment. Unë shpërtheva në lot pasi lash bashkëlojtarët në gjysmë të betejës, isha shumë i emocionuar”, u shpreh Bekaj.
Jam i sigurt se nuk meritoja kartonin e kuq, por ne nuk do të dorëzohemi asnjëherë. Shpresoj kjo çfarë ka ndodhur sot, të mos përsëritet kurrë më”, shtoi ai.
Bekaj u përplas me Prognin, kurse gjyqtari i ndeshjes Kreshnik Vula akordoi gjuajtje të lirë për vendësit dhe ndëshkoi me karton të kuq, duke e lënë Prishtinën me një futbollistë më pak në fushë.