17:39 / E Premte, 27 Janar 2023 / MSH

Vitia dhe Shefi i Zyrës së Bankës Botërore në Kosovë bisedojnë mbi projektet për shëndetësinë

Sot, Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia priti në takim Shefin e Zyrës së Bankës Botërore për Kosovë, Massimiliano Palucci

Gjatë këtij takimi, ministri Vitia njoftoi Paluccin lidhur me plan programin legjislativ të Ministrisë së Shëndetësisë për këtë vit, respektikivisht projektligjet të cilat janë në proces. Sipas ministrit Vitia, ndryshimet ligjore janë të rëndësisë së veçantë në fushën e shëndetësisë dhe të farmaceutikës.

Ministri e njoftoi Shefin e Zyrës së Bankës Botërore për Kosovë edhe për projektet që tashmë pritet të zbatohen në terren në aspektin infrastrukturor dhe të pajisjeve mjekësore të cilat kanë për qëllim rritjen e cilësisë së shërbimeve shëndetësore.

“Shëndetësia primare është në fokus të Ministrisë së Shëndetësisë, veçmas procesi i zonimit dhe referimit të pacientëve duke rregulluar sistemin e referimit shëndetësor në nivelet e sistemit shëndetësor”, deklaroi ministri Vitia.

Gjithashtu, një ndër temat e diskutimit ishte edhe decentralizimi i sistemit shëndetësor, i cili do të dokumentojë proceset menaxhuese dhe të mbarëvajtjes në funksion të rritjes së cilësisë së shërbimeve.

Në këtë takim u diskutua mundësia e vazhdimit të projekteve ekzistuese me Bankën Botërore, si projekti emergjent për menaxhimin e pandemisë Covid – 19 dhe financimi shtesë në mënyrë që të hapet mundësia e akomodimit të projekteve të buxhetuara.

Gjatë këtij takimi, pjesë e diskutimit ishte edhe mundësia për një marrëveshje të re me Bankën Botërore në funksion të zbatimit të reformave në shëndetësi.