13:47 / E Hënë, 06 Shkurt 2023 / S Z

Vitia në koordinim me partnerët e sektorit shëndetësisë për Kujdesin Emergjent

Ministri i Shëndetësisë Arben Vitia dhe zv/ministrja  Dafina Gexha – Bunjaku kanë mbajtur takimin e radhës në platformën elektronike “Zoom” për të bashkërenduar aktivitetet me partnerët e rëndësishëm në sektorin e shëndetësisë, siç është “MASHAV Cooperation”.

Gjatë këtij takimi u bisedua për Kujdesin Emergjent si një prej shërbimeve vitale në sektorin e shëndetësisë. Në kuadër të këtij bashkëpunimi u fol për mundësitë e trajnimit dhe ngritjes së kapaciteteve ekzistuese në Kujdesin Emergjent.

Ditë më parë, ministri Vitia takoi Ambasadoren e shtetit të Izraelit në Republikën e Kosovës, Tamar Ziv ku u diskutua raporti me të gjetura dhe rekomandime lidhur me ofrimin e shërbimeve emergjente, me ç’rast shteti i Izraelit ka shprehur gatishmërinë, për përkrahje në fushën e trajnimit dhe avancimit të stafit shëndetësor.

“MASHAV Cooperation” është programi zyrtar i bashkëpunimit ndërkombëtar i Izraelit për zhvillim, me synimin për të ndarë me pjesën tjetër të vendeve në zhvillim përvojën e shtetit të Izraelit për ekspertizën, trajnimet, teknologjitë inovative dhe metodologjitë e testuara./IndeksOnline/