14:59 / E Hënë, 06 Prill 2020 / indeksADMonline

Vitia ngushëllon familjarët e viktimave të COVID-19: Rregullat e zbatuara shpëtojnë jetë, bashkë në vështirësi e hidhërime

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia është deklaruar lidhur me ndarjen nga jeta të dy pacientëve si pasojë e COVID-19.

Vitia ngushëlloi familjarët dhe miqtë e të ndjerëve, duke ripërsëritur nevojën për sa më shumë kujdes në mënyrë që secili të mbrojë veten, familjen e gjithë të afërmit.

Ministri Vitia tha se nuk duhet të dilet nëse nuk është e domosdoshme dhe nëse qytetarët dalin të mbajnë distancën bashkë me mjetet mbrojtëse.

Postimi i plotë:

Të dashura qytetare dhe qytetarë,

Siç jeni të njoftuar sot në betejën kundër COVID – 19, humbën jetën dy bashkëqytetarë tanë.

Ngushëllimet për familjet dhe për miqtë e të ndjerëve, i bëjmë bashkë me porositë për të bërë shumë, gjithnjë e më shumë kujdes.

Për veten, për familjarët, për të afërmit tuaj.

Ju lutemi që të ndihmoni si asnjëherë tjetër me solidaritet të lartë dhe me vetdisiplinë të pashembullt.

Ju e dini që nuk duhet të dilni vetëm nëse e keni të domosdoshme. Kur dilni të mbani distancën dhe t’i keni mjetet mbrojtëse dhe të zbatoni rregullat e higjenës.

Rregullat e zbatuara shpëtojnë jetë. Mbajeni në mend që secila e secili ka mision të mbrojë jetën dhe shëndetin publik.

Jemi bashkë në vështirësi dhe hidhërime!