14:40 / E Hënë, 29 Maj 2023 / S Z

Vitia pret në takim Szunyog, diskutojnë për investimet në sektorin e shëndetësisë

Ministri i Shëndetësisë Arben Vitia, ka pritur sot në takim Ambasadorin e Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomáš Szunyog.

Gjatë këtij takimi, Ministri Vitia e falënderoi ambasadorin për kontributin e BE-së për shtetin e Kosovës, si dhe diskutuan për projekte të cilat do të ndikonin në përmirësimin e shërbimeve shëndetësore në sektorin publik.

Ministri Vitia theksoi rëndësinë e Zyrës së BE-së në Kosovë, si një portë e rëndësishme e përfaqësimit të të gjitha institucioneve të Bashkimit Evropian.

Temë kryesore e diskutimit ishin reformat në sistemin e shëndetësisë, duke përfshirë projektligjet, trajnimet e stafit shëndetësor, investimet dhe financimet shtesë që do të kontribuojnë për integritetin e institucioneve të shëndetësisë.

Ambasadori z. Tomáš Szunyog shprehi gatishmërinë për ndihmën nga fondet e BE-së në funksion të ngritjes së cilësisë së shërbimeve për qytetarët në institucionet publike.