17:11 / E Diele, 29 Mars 2020 / indeksADMonline

Vitia thotë se pesë persona të infektuar me koronavirus janë në gjendje të rëndë

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, përmes një konference për media ka njoftuar se në mesin e të infektuarve me koronavirus, 31 persona janë duke u trajtuar në Klinikën Infektive dhe janë në gjendje stabile.

Ai ka thënë se pesë prej tyre janë në gjendje më të rëndë.

“Qeveria e Kosovës ditë më parë ka ndërmarrë masën e kufizimit të lëvizjes së qytetarëve. Kërkojmë që koha e lejuar për qarkullim të mos kuptohet në asnjë mënyrë si një hapësirë për t’u grumbulluar por të respektojmë pikën që lëvizjet në rrugë të mos bëhen më shumë se 2 persona e gjithmonë duke mbajtur distancën në 2 metra”, ka thënë ai.

Vitia tutje ka shtuar se duhet më shumë disiplinë, më shumë angazhim e zbatim të masave të reja.

Ai ka bërë thirrje që të respektohen masat për parandalimin e shpërndarjes së koronavirusit.

“Testet e reja me porosi kanë arritur në IKSHPK, kemi bërë kërkesë edhe për 10 mijë teste të reja. Po vazhdojnë njëkohësisht donacionet dhe ndihmat e ndryshme. Ju bëjmë thirrje për shtim në angazhimin e juaj në këtë situatë. Ruajeni shëndetin e juaj dhe të familjarëve tuaj e komshinjve. Kjo situatë do të kalojë andaj ju lutem që të keni kujdes. Ju lutemi që të keni durimin që këto javë t’i kalojmë sipas këshillave e rekomandimeve”, ka thënë ai.

Drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, Naser Ramadani, ka thënë se situata po mbahet nën kontroll.

Sipas tij, nga data 8 shkurt e deri tani janë bërë mbi 1300 testime.

“Duke pas parasysh të gjitha masat e marra unë duhet të iu them që rekomandimet duhet të vazhdoni t’i mbani si, larja e duarve, mosprekja e fytyrës, të pihet sa më shumë ujë, të mundohemi ta ruajmë distancën deri në 2 metra. Unë vetëm një gjë e kisha thënë, shikoni valën epidemike në vendet e tjera ku situata ka dalë jashtë kontrolli”, ka thënë ai.