19:48 / E Mërkurë, 18 Tetor 2023 / S Z

Vitia u premton rritje page punëtorëve që kujdesen për higjienën në QKUK

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka takuar sot punëtorët që kujdesen për higjienën, në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Ai ka njoftuar se do të ketë rritje të pagave  për punëtorët mbi 33%, krahasuar me pagën që aktualisht marrin,  ngase kjo sipas tij, është obligative në tenderin e ri të shpallur nga ShSKUK.

“Ju falënderoj  që përkundër sfidave dhe problemeve që hasni çdo ditë në punën tuaj, ju po i kryeni punën më së miri, ju përgëzojmë dhe ju dëshirojmë punë të mbarë. Sado që ju bëni punën tuaj, ka probleme me infrastrukturë që e vështirëson punën tuaj, për të cilën po punojmë për të përmirësuar”, u shpreh Ministri Vitia.

Sipas tij, është kërkuar ndihmë edhe nga Ministria e Financave për ta rritur buxhetin, e që kanë hasur në mirëkuptim të tyre.

Ndërkohë, drejtori i përgjithshëm i ShSKUK-së,  Elvir Azizi, tha se paga që kanë marrë punëtorët e pastrimit ka qenë e ulët dhe me marrjen ne menaxhim të ShSKUK, ka kërkuar që krahas kërkesave për rritje të nivelit të higjienës, të ketë edhe rritje të pagës se punëtorëve, por edhe  investime ne infrastrukturë.

Kompania që aktualisht ka kontratë me QKUK për mirëmbajtje të higjienës, aktualisht ka 319 punëtorë, përderisa në procedurën e re të prokurimit parashihet të rritet numri i punëtorëve në 326.