Vitia viziton institutet para-klinike dhe morgun ku u investuan 654 mijë euro

Ministri i Shëndetësisë Arben Vitia ka vizituar institutet para-klinike në Qendrën Klinike Universitare (QKUK) dhe morgun, ku u investuan 654 mijë euro
Vitia i shoqëruar nga u.d drejtoresha e SHSKUK Narqize Arenliu – Hoxhaj, udhëheqësja e Bordit, Aida Rexhepi dhe anëtarja e Bordit Agreta Gecaj, kanë vizituar hapësirat e instituteve para-klinike, për të parë nga afër realizimin e projektit që kishte për qëllim përmirësimin e kushteve të punës dhe investimet në infrastrukturë.
Në këtë projekt në vlerë të 654 mijë eurove, janë të përfshira pajisjet mjekësore dhe inventarizimi i dorëzuar në institutet para-klinike, furnizimi dhe instalimi i tyre, pajiset fikse të mobilizuara, pajisjet lëvizëse të specializuara dhe furnizimet për institutet para-klinike.
Gjatë takimi ministri Vitia u njoftua me shërbimet që ofrohen në këto klinika si dhe premtoi se do të merren për bazë kërkesat për investime të mëtutjeshme, për përmirësimin e kushteve të punës me qëllim të shërbimeve sa më të mira.
“Shërbimet paraklinike janë shumë të rëndësishme. Jam shumë i interesuar për t’i dhënë një dimension tjetër këtyre shërbimeve. Ne jemi të përkushtuar që çdo nevojë për investime që vjen nga ju së pari, ne t’i përgjigjemi sa më mirë e shpejtë që është e mundshme. Jemi duke bërë një plan përveç se investiv edhe në racionalzimin e resurseve njerëzore. Krejt kjo për të racionalizuar kohën e cila do të mund të përdorët në të mirë të shërbimit të qytetarëve”, tha ndër të tjera Ministri Vitia.
Në njoftim thuhet se ky projekt ishte paraparë të realizohej në kuadër të bashkëpunimit me Bankën Botërore për rritjen e kapaciteteve për Covid-19, e ku një prej aktivitetet ishte edhe ndërtimi i instituteve para-klinike./Indeksonline/