15:26 / E Mërkurë, 11 Janar 2023 / S Z

Vitia viziton Klinikën e Kardiologjisë, diskuton listat e pritjes dhe trajnimet e stafit mjekësor

Ministri i Shëndetësisë Arben Vitia, i shoqëruar nga Kryesuesja e Bordit të ShSKUK Aida Rexhepi dhe U.D. Drejtoresha e ShSKUK-së  Pranvera Zejnullahu- Raci, kanë vizituar  Klinikën e Kardiologjisë në QKUK.  Gjatë kësaj vizite, Ministri vizitoi edhe Shërbimin e Kardiologjisë Invazive dhe Njësinë Intensivë të kësaj klinike.

Në njoftimin e MSH-së thuhet se gjatë bashkëbisedimit me udhëheqësit dhe stafin mjekësorë të klinikës, drejtori i klinikës së Kardiologjisë,  Lulzim Kamberi e ka informuar Ministrin se kjo klinikë është ndër të parat që ka Rregulloren e brendshme të punës, e cila ka lehtësuar trajtimin e pacientëve në këtë klinikë.

Kamberi ka paraqitur statistikat e punës, duke theksuar  se  planifikohet që të rritet vëllimi i punës edhe pas orës 13:00 në Shërbimin e Kardiologjisë  Invazive për rastet elektive, me që për rastet urgjente punohet 24 orë.

 Ministri Vitia potencoi se është në dijeni që ka pasur fluks të madh të pacientëve, andaj i përgëzoj stafin për punën, nga se brenda një viti, në këtë klinikë janë trajtuar mbi 6000 pacientë, kurse e gjithë Klinika Interne ka trajtuar 8000 pacientë.

” Gjatë kësaj vizite, u tha se do të shikohet mundësia e investimeve në infrastrukture, në drejtim të zgjerimit të kapaciteteve. Gjithashtu Ministri Vitia theksoi se, sa i përket listës së pritjes, do të diskutohen dhe trajtohen kërkesat me qellim të uljes së listës së pritjes. Po ashtu, ai foli edhe për trajnimet e stafit mjekësorë, duke ofruar mbështetjen e plotë të Ministrisë së Shëndetësisë për këto aktivitete”, thuhet në njoftim.