17:57 / E Premte, 31 Mars 2023 / MSH

Viva Fresh Store, në përkrahje të nxënësve të shkollave profesionale të Kosovës përmes punës praktike me pagesë dhe mundësive të punësimit

Viva Fresh Store është njëra nga bizneset më të mëdha dhe serioze e karakterit ndërkombëtar dhe lider në fushën e shitjes me pakicë në tregun e Kosovës, Maqedonisë së Veriut dhe së shpejti do të hapet edhe në tregun e Republikës së Shqipërisë. Viva Fresh Store ka punuar shumë për të fituar reputacionin e saj për udhëheqjen në shërbimin ndaj klientit, përdorimin inovativ të teknologjisë moderne dhe përqafimin e përgjegjësisë sociale të korporatës. Kompania krenohet me dhënien e shembullit për inkorporimin e praktikave më të mira të biznesit në të gjitha nivelet operacionale, një përpjekje që ajo e sheh si të dobishme jo vetëm për qëndrueshmërinë e saj, por edhe të mjedisit biznesor të Kosovës. Në çdo vend që operon Viva Fresh Store demonstron përkushtimin e saj maksimal në funksion të rritjes dhe zhvillimit ekonomik, përkrahjen e zingjirit prodhues vendor dhe rritjen e punësimit.

Viva Fresh Store, kompani lidere në vend filozofinë e saj të operimit e bazon tek vlerat, cilësia, ndershmëria, shërbimi dhe besueshmëria që ofron, në gjithë rrjetin e gjerë të marketeve në krejt Kosovën dhe rezultat i këtij angazhimi ka fituar çmime të ndryshme ndërkombëtare për ofrimin e nivelit më të lartë të CILËSISË në raport me konsumatorin.

Viva Fresh Store, ka filluar bashkëpunimin me shkolla profesionale në këto pika: Ofrimit të praktikës profesionale ashtu që nxënësit të aplikojnë njohuritë teorike në praktikë, aspektin e përditësimit të programeve të studimeve dhe përputhjes së kurrikulave me kërkesat e tregut, zhvillimit të projekteve me interes të përbashkët, rrisin shanset për punësim dhe vet-punësim të të diplomuarëve. Kompania ka vendosur që praktikën e nxënësve ta bëjë me pagesë për stimulimin e tyre drejt formimit profesional.

Pronari i Viva Fresh Store z. Xhevdet REXHEPI, mirëpriti në zyren qendore drejtorët e shkollave profesionale. Ai prezantoi historikun e kompanisë, strategjin zhvillimore, rritjen e punësimit dhe përkrahjen e zingjirit prodhues vendor. Z. Rexhepi theksoi se edukimi dhe arsimimi profesional cilësor i të rinjëve është shumë i rëndësishëm për bizneset dhe zhvillimin ekonomik të vendit dhe për këtë arsye Ne ju kemi hapur dyert institucioneve arsimore për të realizuar punën praktike profesionale, vizita studimore dhe analiza të ndryshme për të kuptuar funksionimin, sfidat dhe mundësit e bizneseve në mjedisin ekonomik të Kosovës. Në kuadër të kompanisë kemi zhvilluar politika dhe programe të punës praktike me angazhim të resurseve të brendshme njerëzore kompetente dhe në bashkëpunim me institucione arsimore shpresoj të japim një kontribut drejt zhvillimit dhe formimit profesional të të rinjëve tanë duke i përgatitur me aftësi dhe shkathtësi të cilat janë në përputhje me nevojat e tregut.

Z. Agon DULA – Kordinator për Bashkapunim mes Institucioneve të Arsimit dhe Aftësimit Profesional dhe bizneseve në kuadër të projektit ALLED2, projekt ky i financuar nga Bashkimi Evropian dhe bashkëfinancuar nga Agjencioni Austriak për Zhvillim – ADA, u shpreh shumë i lumtur me nënshkrimin e këtyre Memorandumeve të Bashkëpunimit mes 14 shkollave profesionale të përkrahura nga ALLED2 dhe Viva Fresh Store, ku theksoi rëndësinë që ka ky bashkëpunim si për institucionet e Arsimit Profesional, ashtu edhe për vetë Viva Fresh Store, duke nënvizuar munësitë e shumta që rrjedhin nga ky bashkëpunim, si në aspektin e zhvillimit të shkathtësive praktike të nxënësve në një ambient biznesor të suksesshëm të standardeve evropiane, poashtu edhe në kuptim të identifikimit të kandidatëve potencial nga ana e Viva Fresh Store për t’i punësuar këta të rinj pas kryerjes së pjesës praktike të të mësuarit në kompaninë e tyre. Projekti ALLED2 ka pasur një bashkëpunim dhe koordinim të mrekullueshëm me sektorin privat sikurse në këtë rast në veçanti me Viva Fresh Store të cilët kanë shprehur gadishmërinë e tyre për të bashkëpunuar si me projektin ALLED2 poashtu edhe me shkollat profesionale anë e mbanë Kosovës ku ata operojnë.

z. Kushtrim ZEBICA nga Austrian Development Agency (ADA) projekti ALLED2 theksoi se “Viva Fresh Store” është lider në industrin e saj dhe akter i rëndësishëm në ekonomin e Kosovës, ndërsa bashkëpunimin me shkolla profesionale e vlersoi si proces  jashtëzakonisht të rëndësishëm me ndikim të drejtëpërdrejt drejt formimit profesional të nxënësve për të fituar dije dhe aftësi në fusha që lidhen me shkollimin e tyre. Nxënësit përmes programit të punës praktike do të fitojnë aftësitë e transferueshme dhe marrëdhëniet profesionale që krijojn janë resurse që do t’ju vijnë në ndihmë për shumë kohë. Pas diplomimit, do të përballen me një treg pune konkurrues dhe përvoja e punës praktike mund të bëjë diferencën. Bashkëpunimi midis shkollave profesionale dhe bizneseve është i domosdoshëm për një sistem të fortë arsimi dhe formimi profesional, dhe krijimin e një ekonomie të qëndrueshme.

Viva Fresh Store ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me këto shkolla: IIAP “Andrea Durrsaku” – Kamenicë, IIAP “Fehmi Agani” – Klinë, IIAP “Fehmi Lladrovci” – Drenas, IIAP “Jonuz Zejnullahu” – Viti, SHMAT “Zenel Hajdini” – Ferizaj, SHMAT “Abdyl Frashëri”  – Prishtinë, SHMAT  “Sahit Baftiu”  – Gjilan, SHMEP “Ali Hadri” – Pejë, SHMLE “Kadri Kusari” – Gjakovë, SHMLP “Ismail Dumoshi” – Obiliq, SHMLP “Zeljadin Mullaabazi Mici” – Rahovec, SHMLT “Arkitekt Sinani” – Mitrovicë, SHMT “Nexhmedin Nixha” – Gjakovë, SHMT “Tafil Kasumaj” – Deçan.

Ky aktivitet është realizuar përmes projektit “Harmonizimi i Arsimit dhe i Aftësimit me Nevojat e Tregut të Punës – ALLED Faza II” financohet nga BE brenda zarfit financiar IPA II 2017 për Kosovën me bashkëfinancim nga Bashkëpunimi Austriak për Zhvillim ADA. Sipas IPA 2017, projekti i vendimit për financim implementohet nga Agjencia zhvillimore Austriake (ADA) e përfaqësuar nga Zyra Austriake për Bashkëpunim dhe Zhvillim në Kosovë përmes Menaxhimit Indirekt.

Objektivi i përgjithshëm i projektit ALLED2 është zvogëlimi i varfërisë përmes rritjes së pjesëmarrjes së tregut të punës dhe përmirësimit të punësueshmërisë për popullsinë në Kosovë. Të gjitha veprimet dhe aktivitetet e planifikuara do ta mbështesin Ministrinë e Arsimit, Shkencës Teknologjisë dhe Inovacionit së Kosovës (MASHTI) dhe Agjencionin e Punësimit në Republikën e Kosoves (APRK)  në reformimin e sistemit të arsimit dhe aftësimit për ta lidhur arsimin dhe aftësimin me nevojat e tregut të punës, dhe për ta reflektuar Kornizën Evropiane të kompetencave kryesore. Qëllimi specifik i ALLED2 është që ta forcojë cilësinë dhe relevancën e programeve arsimore dhe aftësuese për tregun e punës dhe që ta mbështetë përshtatjen e kornizës legjislative dhe të mekanizmave, si një parakusht për rritjen e punësueshmërisë.