08:41 / E Enjte, 06 Tetor 2022 / B O

Vizat dhe integrimet, tema të Kosovës sot në samitin e Pragës

Presidentja Vjosa Osmani me ftesë të presidentit të Këshillit Evropian, Charles Michel, do të marrë pjesë në takimin e parë të Komunitetit Politik Evropian, që do të zhvillohet sot në Pragë. Njohës të rrethanave politike në vend e vlerësojnë të rëndësishme pjesëmarrjen e Kosovës në këtë takim, për sa i përket aspiratave të Kosovës për integrim evropian.

Përfaqësuesit e 27 vendeve anëtare të Bashkimit Evropian dhe liderët e 17 vendeve jo-anëtare, do të takohen sot në Pragë të Çekisë, me ftesë të presidentit të Këshillit Evropian, Charles Michel, në kuadër të takimit të parë të Komunitetit Politik Evropian, që është propozim i presidentit francez, Emmanuel Macron. Kosova në këtë takim po përfaqësohet nga presidentja e vendit, Vjosa Osmani. Njohësit e rrethanave politike në vend e vlerësojnë të rëndësishëm pjesëmarrjen e Kosovës në këtë takim. Dorajet Imeri ka thënë për Radio Kosovën se kohët e fundit është dinamizuar çështja e liberalizimit të vizave dhe një takim i tillë do të mund të shërbejë në të mirë të këtij procesi.

“Është kohë që ka filluar të dinamizohet procesi i liberalizimit të vizave, sigurisht se një takim i tillë është në shërbim të cilin Kosova duhet ta shfrytëzojë, në mënyrë që ta çojë përpara agjendën e saj eurointegruese e në veçanti procesin e liberalizimit të vizave”, ka deklaruar Imeri.

Analisti, Artan Muhaxheri, ka thënë për Radio Kosovën se pjesëmarrja e Kosovës në këtë takim është një formë përkrahjeje për integrim evropian të Kosovës.

“Është një lajm shumë i mirë, është një formë e përkrahjes edhe për përpjekjet kosovare në rrugën e integrimeve evropiane. Natyrisht që do të kërkohen angazhime nga pala kosovare për përmbushjen e detyrimeve në këtë rrugë të vështirë”, ka thënë Muhaxheri.

Në agjendën që është publikuar në faqen e Këshillit të Bashkimit Evropian, thuhet se temat që do të diskutohen janë paqja dhe siguria, situata ekonomike, energjia dhe klima, si dhe migrimi dhe lëvizshmëria.