75 Mall Live Search
23:17 / E Hënë, 07 Maj 2018 / indeksADMonline

Vizat, integrimi dhe njohjet, ekspertizë nga Suedia për Kosovën

Nga: Arben Vata

Stockholm

Good Government affairs, një derë europiane e hapur për shqiptarët

Ndërsa Kosova është në momente vendimtare sa i takon procesit të liberalizimit të vizave me vendet e hapësirës Shcengen, dhe gjithashu në përpjekje për të shkuar më tej në rrugën e nisur për tju bashkëngjitur familjes së vendeve europiane, BE, nga Suedia vjen një lajm i mirë vjen për gjithë shqiptarët e Kosovës. Good Government Affairs, (GGA), me qendër në Stockholm ka ofruar mbështetjen e saj për qeverinë e Kosovës, duke premtuar bashkëpunim dhe ekspertizën më të kualifikuar për arritjen e këtyre qëllimeve vitale për shqiptarët. Lena Bäcker, njëra nga themeluesit e kësaj kompanie është tejet e vendosur dhe optimiste për të punuar shpejt dhe fort me qeverinë në Prishtinë për të arritur këto objektiva madhore. “Koha është pikërisht tani dhe jo më vonë”, thotë zonja Bäcker ndërsa shton se nëpërmjet Strategjisë së Ballkanit Perëndimor të Komisionit Evropian, një derë është hapur pak për Kosovën. “Ne në GGA mund të ndihmojmë që ta vendosim një këmbë në këtë derë për Kosovën dhe kështu kjo derë nuk do të mbyllet përsëri. Ne duam të mbështesim Kosovën për të forcuar imazhin dhe njohjen ndërkombëtare për Kosovën, për liberalizimin e vizave dhe anëtarësimin e saj në BE”, vijon zonja Bäcker, e cila është e entuziazmuar nga takimet që ka pasur në Kosovë me autoritetet, por edhe qytetarë të thjeështë dhe të rinj, që sipas saj janë të etur për Europën dhe vlerat e civilizimit të saj. E dashuruar vërtetë jo vetëm me bukuritë natyrore por edhe me karakterin e veçantë të popullit shqiptar, Bäcker këmbëngul se Kosova nuk ka kohë për të humbur, pasi imazhi që egziston në botë për Kosovën nuk është ashtu sikurse shumë prej nesh e mendojmë. Bota ende ka të ngulitura në mendje pamjet e masakrave të regjimit të Sllobodanit mbi popullsinë civile dhe imazhet e bombardimeve. “Kosova është ende mjaft e panjohur dhe shumë njerëz e mendojnë vendin siç ishte 20 vjet më parë. Ata ende mendojnë se Kosova është në luftë”, thotë me keqardhje Bäcker.

Po çfarë është Good Government Affairs, (GGA) dhe cilat janë format me të cilat synohet të mbështeten përpjekjet e Kosovës për prosperitet?

Good Government Affairs, (GGA) ose Qeveria e Punëve të Mira, është një kompani me bazë në Suedi në përbërje të së cilës janë ish ministra, zëvëndësministra, drejtorë të përgjithshëm të korporatave të njohura, ekspertë të fushave të ndryshme që ndihmojnë qeveritë nëpër botë për të krijuar një rritje të fortë dhe të qëndrueshme për vendet e tyre. Falë kapaciteteve dhe lidhjeve që kanë anëtarët e këtij bordi, GGA ka mundësinë të bashkëpunojë me Komisionin Evropian, Bankën Botërore, FMN, OKB, USAID, OECD, Bankën e Zhvillimit, IDEA dhe Sida.

“Ne po punojmë me integritetin më të lartë. Qëllimi ynë është të mbështesim rritjen dhe zhvillimin afatgjatë në Qeveri. Ne besojmë se njohja e praktikave më të mira dhe përvoja e dëshmuar është çelësi i reformës së suksesshme. Kjo është arsyeja pse ne hyjmë në një rrjet të individëve me kualifikim të lartë që kanë mbajtur pozitat më të larta të qeverisë për të identifikuar, korrigjuar dhe ndihmuar zbatimin e praktikave më të mira brenda qeverisë. Përvoja jonë kolektive dhe rrjeti shtrirë, në Suedi dhe jashtë vendit, të fituara përmes karrierave emocionuese dhe sfiduese, na lejojnë të jemi vizionarë në çështje me të cilat përballen qeveritë sot. Vizioni ynë është të ndihmojmë në zhvillimin dhe të kuptuarit se si një ekonomi e re mund të ndikojë në kushtet e suksesit afatgjatë. Ne jemi të bindur se suksesi bazohet në një kombinim të njohurive strategjike, ekspertizës dhe aftësisë për të analizuar sfidat dhe nevojat. Së bashku ne kemi një përvojë unike dhe të kualifikuar në dhënien e konsultimit të nivelit të lartë. Kompania jonë gjithashtu merret edhe me bashkëpunimin e ndërsjelltë të nivelit të lartë  si dhe sa i takon investimeve midis qeverive dhe vendeve të ndryshme”, shpjegon zonja Lena Bäcker.

Nga takimet e zhvilluar kohët e fundit në Kosovë, vihet re se ka nevojë për ndihmë dhe ekspertizë nga BE dhe GGA lidhur me investimet, mbështetjen në sektorin e arsimit dhe edukimit, minierave, energjisë, bujqësisë, privatizimit të kompanive publike, rritjen e aftësisë së parlamentit sa i takon Integrimit Evropian, përmirësimin e kapaciteteve qeverisëse në nivel qendror dhe lokal, po ashtu ndihmë në fushën e legjislacionit dhe rishikimin e ligjeve, parandalimin e krimit, reformën në arsim dhe shëndetësi, bashkëpunimin rajonal, etj. Për të realizuar plotësimin e këtyre objektivave, kërkohen takime intensive me BE, UN, UNESCO, OSCE, Interpol, OECD, OBT, FMN, Banka Botërore, etj, takime që do të merren përsipër nga një ekip expertësh që do të punojnë posaçërisht për Kosovën.

Në përbërje të këtij grupi janë :

– Walburga Habsburg Douglas ish-Princesha dhe deputete e parlamentit suedez. Ajo është vajza e Otto Von Habsburg, princit i fundit i kurorës së Mbretërisë Austro-Hungareze, që sikurse njihet nga historia ka pasur një rol vendimtar për pavarësinë e shqiptarëve në vitin 1912.
– Mats Hellström Ministër i Suedisë për 10 vjet, në postet e Ministrit të Tregtisë së Jashtme, Ministrit të Bujqësisë, Ministritë të Punëve të BE-së, Ministrit të  Bashkëpunimit Nordik, Deputet për 27 vjet si Kryetar i Komitetit të Jashtëm, Ambasadori i shtetit Suedez në Gjermani si dhe Guvernator i Stokholmit.

– Roger Mörtvik ish zëvendësministri i arsimit të Suedisë. Aktualisht, Kryetari i kërkimeve shtetërore për arsimin e të rriturve.

– Aurora Pirkakku Eriksson, master në lidership dhe kriminalistikë, kryetare e socialdemokratëve për Besim dhe Solidaritet në rajonin Västmanland dhe anëtare e bordit së këtij formacioni në rang kombëtar. Në një botim për shqiptarët e Suedisë, roli i saj është cilësuar model sa i takon ndihmës së dhënë për shqiptarët në procesin e vështirë të integrimit në Suedi.
– Lena Bäcker ish Drejtoreshë ligjzbatuese (Përmbarimit) të Suedisë. Ajo ka qenë përgjegjëse për të ndjekur pjesën suedeze të paketës ndërkombëtare të shpëtimit në “Taskforce for Greece”. Ajo është ngarkuar gjithashtu me detyra të larta qeveritare në vende të ndryshme në Evropë, Lindjen e Mesme, BE, FN, OECD, etj.

Me qëllim përshpejtimin e proceseve integruese të Shqipërisë, qeveria në Tiranë ka nënshkuar një kontratë me GGA.