21:44 / E Enjte, 23 Janar 2020 / indeksADMonline

Vizita e Grenell në Kosovë, analistët: Presion për formimin e Qeverisë

Analistët politikë në emision “Debat Plus” në RTV Dukagjini, kanë komentuar vizitën e emisarit special të presidentit amerikan Donald Trump për dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë, ambasadorit Richard Grenell.

Analistët kanë theksuar se Grenell është njëri nga ambasadorët më të fuqishëm të presidentit të SHBA-së, Donald Trump.

Analisti Imer Mushkolaj, ka thënë se mesazhet e ambasadorit Grenell janë të qarta dhe së një farë forme janë presion për formimin e Qeverisë brenda afateve kushtetuese.

“Natyrisht që SHBA-të janë të interesuar që dialogu të vazhdojë sa më shpejtë dhe për këtë shkak është edhe vizita e menjëhershme e ambasadorit Grenell në Beograd. Në mënyrë që edhe atje të dërgojë porositë që janë direkt nga presidenti Donald Trump dhe të tregojë qëndrimin e Kosovës karshi Serbisë. Për shkak se çështja themelore që u diskutu ishte nisja e dialogut e cila është e ndërlidhur me heqjen e taksës atë që e dimë se Serbia ka vendosur si kusht. Dëgjova sot se para se Grenell të vizitojë Beogradin, ministri e jashtëm serb, Ivica Daqic i cili tha se ne do ta ndalim fushatën e tërheqjes së njohjeve për Kosovën kur të hiqet taksa. Më tingëllojë absurde pasi që taksa është vendosur pikërisht për shkak të fushatës së Serbisë. Po bëhet një lojë në qark mes Kosovës dhe Serbisë, se kush do ta bëjë hapin e parë për nisjen e dialogut”, ka thënë ai.

Në anën tjetër, analisti Astrit Gashi tha se vizita e Grenell nuk do të ndikojë në arritjen e koalicionit LVV-LDK.

“Nuk mendoj që koalicioni do të bëhet si rrjedhojë e vizitës së ambasadorit Grenell. Në fakt vizita e Grenell më shumë jep problem për ndërtimin e koalicionit sesa shans për ndërtimin e tij. Nëse i shikojmë hapat që janë bërë javëve të fundit dhe çfarë ka bërë Grenell sot në Kosovë ndoshta më shumë me LDK-në se sa me LVV-në është përcaktimi i një dinamike të qartë 20 pikëshe të marrëveshjeve dhe formave të bisedimeve me Serbinë, që do të përfundonin dikur me një marrëveshje mes dy shteteve. Besoj që një agjendë të tillë Grenell ia ka propozuar Albin Kurtit edhe në Berlin në takimin e më hershëm. Kjo e bjen para një vështirësie Qeverinë e re e cila do të udhëhiqej nga LVV në këtë rast. Sepse nëse kjo Qeveri shkon sipas dinamikës që e ka përcaktuar Grenell, në emër të presidentit Trump, sepse ky nuk duket politkan i butë, por detyron me thanë po. Moti s’ka pasë një ambasador të tillë. Është politikan i vështirë, insistues në realizimin e qëllimeve. Thaçi është i pakapërcyeshëm si udhëheqës me bisedimet Kosovë-Serbi, sipas agjendës së Grenellit”, është shprehur Gashi.

Kurse, analisti Armend Muja ka thënë se vizita e Grenell në Kosovë simbolizon një rikthim të fuqishëm të SHBA-së në Ballkan.

‘Vizita e Grenellit simbolizon një rikthim të fuqishëm të SHBA-së në Ballkan, diçka që më herët nuk është parë me kaq potencë, e dyta është sepse e krijon një mekanizëm alternativë të dialogut. Ideja e vizitës së tij ka qenë pikërisht me përcjellë mesazhin për krjimin e qeverisë. Ai i sheh tre akterë për arritjen e marrëveshjes, i pari është presidenti Thaçi, pastaj zotëri Kurti dhe zotëri Mustafa. Në këtë mënyrë Grenell e sheh arritjen e marrëveshjes Kosovë-Serbi, qoftë pjesë pjesë apo përfundimtare. Ai e përmendi edhe kohën se marrëveshja duhet të arrihet shpejtë sepse nuk ka kohë, edhe unë mendoj që koha është e rëndësishme. Grenell është një ambasador shumë i fuqishëm. Me gjasë tema e ndarjes ka përfundu, ky do te insistojë te demarkimi dhe jo shkëmbimi i territoreve”, ka thënë ai