21:25 / E Diele, 24 Dhjetor 2017 / indeksADMonline

Vizitorët kërkojnë investime në Brezovicë

Vizitorët kërkojnë që të gjendet një zgjidhje e duhur për Brezovicën. Mungesa e investimeve, sipas tyre, po vërehet, prandaj duan që në këtë resort turistik të bëhen investimet e duhura për të ofruar infrastrukturë të mirëfilltë.

Është qendra më e madhe e skijimit në Kosovë dhe vizitorë ka në çdo kohë. Ata vijnë nga qytete të ndryshme të vendit, por nuk mungojnë as turistë të huaj. Kosta vjen nga Shkupi. Ai thotë se është mrekulluar me bukuritë që ofron Brezovica. Njësoj mendon edhe Elvis Kulenoviq i cili shprehet me admirim për këtë vend. Megjithëse është resort mjaft i njohur, nuk pati asnjëherë investime, por vetëm u shfrytëzua sipas mundësive.

Blerim Islami ka 16-të vjet që punon këtu si instruktor i skijimit. Mendon se privatizimi i Brezovicës është i domosdoshëm. Njëlloj mendojnë edhe të tjerë që ushtrojnë veprimtarinë e tyre të biznesit këtu.

Ndërkaq, Fatushe Azemi, ka frikë se privatizimi i kësaj qendre turistike, do të pamundësojë ardhjen këtu të shumë qytetarëve , pasi çmimet mund të jenë jashtë çdo kontrolli. Në anën tjetër Sllavisha Janiqeviq, udhëheqës i elektronikës në pistën e skijimit thotë se privatizimi i Brezovicës është më shumë çështje politike. Megjithatë ai thotë se duhet të gjindet zgjidhja e duhur për Brezovicën.

“Nuk jam kompetent të flas për privatizimin, nuk kisha hy në këtë temë, pasi mendoj se është çështje politike. Kam shumë dëshirë të gjindet zgjidhja e duhur dhe fati i Brezovicës të dihet njëherë e përgjithmonë. Për ne që punojmë këtu është me rëndësi programi social i kësaj qendre. Çdo koment tjetër është i panevojshëm. Kisha pas dëshirë që kjo pistë të funksionojë si dikur, kur këtu vinin turistë nga gjithë vendet e botës”, ka theksuar Janiqeviq.

Por privatizimi i Brezovicës ende nuk po duket. Infrastruktura është e dobët . Tentimi i para disa viteve i Qeverisë Kosovës për ta dhënë me koncesion këtë resort turistik kishte dështuar ndonëse interesimi i kompanive të huaja për ta marrë me koncesion Brezovicën ishte i madh.

Temat: