17:06 / E Mërkurë, 21 Nëntor 2018 / indeksADMonline

Vjen reagimi i Bosnjës për rritjen e taksës

Ministri i Tregtisë së Jashtme dhe Marrëdhënie Ekonomike të Bosnje dhe Hercegovinës, Mirko Saroviq ka reaguar lidhur me vendimin e Qeverisë së Kosovës për vendosjen e taksës 100% për produktet e këtij vendi dhe të Serbisë.

Sipas Saroviq ky vendim rrënon  marrëveshjen e CEFTA-s.

Saroviq ka thënë poashtu se ende nuk kanë marrë informatë zyrtare, por sipas tij zyrtarët e Ministrisë së Tregtisë së Jashtme dhe Marrëdhënieve Ekonomike po përpiqen të marrin informacion zyrtar.

“Ne kemi kontaktuar sekretariatin e CEFTA-s, në Bruksel, nuk është se ata kanë ndonjë vendim formal  të Prishtinës, për futjen e masave të fundit”, ka thënë ai për N1, transmeton Indeksonline.

“Nëse ky informacion është i saktë, komenti im është se ky është ndikimi më i madh në një zonë rajonale të tregtisë së lirë, apo të CEFTA-s, e cila kthehet në një krizë të madhe që shkaktohet nga ana e Kosovës”, ka shtuar tutje Saroviq.

Sipas tij, CEFTA është në krizë dhe se çështja e mbijetesës është në duart e shteteve anëtarë dhe Brukselit.

“Gjatë ditëve të ardhshme, ne do të kemi më shumë informacione. Seanca e nesërme e Këshillit të Ministrave dhe nga sekretariati i CEFTA-s ne do ta marrin më shumë informata. Është zhgënjyese, por është shumë herët të thuhet se çfarë masa parashikohet të ndërmarrë Bosnje Hercegovina”, ka thënë tutje ministri Sarkoviq.

Ndryshe Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme ka miratuar vendimin që të vendosen taksa 100% për produktet që hyjnë nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina./Indeksonline/