75 Mall Live Search
10:30 / E Mërkurë, 04 Tetor 2017 / indeksADMonline

Vlera e kompensimit të deputetëve në më shumë se dy seanca gjatë muajit

Zyra e Sekretarit të Përgjithshëm të Kuvendit të Kosovës e ka demantuar një shkrim të një media në Kosovë për pagesat që iu bënë deputetëve në dy seancat e fundit.

“Konfirmojmë me përgjegjësi se artikulli në fjalë përmban të dhëna të pabaza dhe të pasakta lidhur me temën të cilën e trajton. Për më tepër, artikulli është kontradiktor.
Në këtë artikull, ndër të tjera thuhet: “Për dy seanca gjatë muajit, ata marrin 240 euro. Kurse, për pjesëmarrjen në mbledhjet e komisioneve parlamentare, fitojnë shtesa prej 160 eurosh. Ndërkaq vetëm në dy seanca të mbajtura dje dhe sot, çdo deputetët i Kuvendit të Kosovës, ka fituar 480 euro”, thuhet në reagimin e Kuvendit.

Sipas tyre, në bazë të vendimit për caktimin e lartësisë së kompensimit të deputetit për funksion udhëheqës dhe kompensimin e shpenzimeve mujore, të vitit 2011, kompensimi për pjesëmarrje të deputetëve në seanca plenare është 240 euro në muaj, ndërsa për pjesëmarrje në punën e komisioneve, 160 euro.

“Ndërkaq, në vendimin për ndalesën e kompensimit të deputetit për mospjesëmarrje në seancë plenare dhe në mbledhjen e komisionit parlamentar, thuhet: “Për mospjesëmarrjen të deputetëve në seancë plenare, ndalesa iu bëhet në mënyrë proporcionale me numrin e seancave të mbajtura”. E njëjta vlen edhe për mbledhjet e komisioneve”, thuhet më tej në reagim.

Sipas të dhënave të Sekretariatit, deputetët kompensohen në vlerë maksimale 240 euro, nëse marrin pjesë në së paku dy seanca brenda një muaji. Por, kjo vlerë nuk rritet, edhe nëse ata marrin pjesë në më shumë se dy seanca brenda një muaji.

“Ndërsa, në rast të pjesëmarrjes së deputetit në vetëm një seancë brenda muajit, kompensimi bëhet në vlerë të përgjysmuar nga shuma e lartpërmendur”, thekson Kuvendi./AktivPress