Vllasi: Kurti për qeveri duhet të gjejë partnerin për koalicion, e që është kjo parti

Sot ka dështuar seanca e 40-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, duke zgjatur edhe më tej bllokadën institucionale që vendi po përjeton që nga zgjedhjet e prillit. Me këtë dështim, vendi vazhdon të ketë një kuvend të paralizuar dhe një qeveri me mandat të skaduar, që sipas njohësve të çështjeve kushtetuese, po thellon krizën politike dhe institucionale.
Ish-politikani dhe analisti Azem Vllasi, në një bisedë për IndeksOnline për këtë situatë, tha se vendimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese nuk sjell asgjë të re për deputetët dhe se gjithçka tashmë është e ditur.
“Gjykata Kushtetuse nuk tha asgjë që deputetët nuk e dijnë. Afati prej një muaji për konstituimin dhe zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve ka filluar më 14 prill. Të dyja mënyrat e votimit (me aklamacion apo fsheht) poashtu i lejon Kushtetuta”, deklaroi Vllasi.
Ai kritikoi ashpër mungesën e vullnetit politik për të dalë nga bllokada, duke theksuar se liderët politikë janë të vetëdijshëm për këtë krizë, por po e përdorin si mjet për përfitime politike.
“Ditën e dytë pas publikimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuse, krerët e grupeve parlamentare bënë me dije se do të vazhdojnë me cirkun që zgjat më shumë se tre muaj. Kështu Kosova ka qeveri me mandat të skaduar që nuk jep llogari askujt. Ka kuvend të paralizuar që nuk kryen funksionin kushtetues. Pasojat janë të mëdha,” shtoi ai.
Sipas Vllasit, zgjidhja e kësaj krize është “fare e lehtë”, por mungon vullneti për ta zbatuar.
“Fillimisht, kuvendi do të duhej që me aklamacion (votim të hapur) të deklarohet a duhet kryetari të zgjidhet me vota të hapura apo të fshehta. Për mënyrën që deklarohet shumica, në atë mënyrë duhet votuar kryetarin. Nëse kandidati i VV-së si parti që ka të drejtë ta ketë kryetarin nuk fiton numrin e duhur në votim të parë, VV-ja duhet ta propozojë kandidatin tjetër. I zgjedhur është ai që fiton shumicën mbi 61 vota”, theksoi ai për IndeksOnlinen.
Në vlerësimin e tij, rolet brenda kuvendit janë keqinterpretuar dhe të shtrembëruara, duke krijuar tension të panevojshëm mes deputetëve.
“Kuvendin në vazhdim deri te zgjedhja e kryetarit të ri duhet ta udhëheq kryetari i vjetër Glauk Konjufca. Sikur Kurti që po e udhëheq qeverinë me mandat të skaduar. Deputetit më të moshuar Kushtetuta i jep të drejtë ta kryesojë vetëm seancën e parë. Ky që po e kryeson çdo të dytën ditë veç sa po i iriton deputetët”, u shpreh Vllasi.
Ai po ashtu e përsëriti idenë për një koalicion të mundshëm që, sipas tij, do të ishte zgjidhja më e përshtatshme për vendin.
“Kurti për qeveri, duhet të gjejë partnerin për koalicion. Unë përsëris idenë që koalicion i duhur do të ishte VV-ja me LDK-në”, përfundoi Vllasi.