23:14 / E Shtunë, 01 Shkurt 2020 / indeksADMonline

Vlora Çitaku kujton Ylfete Humollin

Ambasadorja e Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Vlora Çitaku, e ka kujtuar dëshmoren Ylfete Humolli, e cila 30 vite më parë është vrarë nga forcat e armikut.

Çitaku e ka quajtuar Humollin heroinë.

“Ylfete Humolli, heroina jonë. I përjetshëm qoftë kujtimi për ju”, ka shkruar ajo në Facebook.

Para 30  vjetëve, më 1 shkurt 1990, gjatë demonstratave kundër represionit shtetëror, u vra nga policia serbe 16 vjeçarja Ylfete Humolli. Dëshmitarët thonë se fjalët e vetme të saj para se të jepte shpirt ishin: “Ku është Mentori?”

Mentori ishte vëllai i saj 13 vjeçar që gjithashtu po protestonte atë ditë. Mentori e Ylfetja ishin prototipi i një brezi që nuk pati kurrë fëmijëri sepse ata u rritën para kohe nga tymi i gazit lotsjellës.

Nëntë vite më vonë, Mentori do ta vishte uniformën e UÇK-së dhe në moshën 23 vjeçare do të vritej në Betejën e Koshares.

Sot, në fshatin Lupç, buzë lumit Llap, janë dy varre-lapidare që përjetësojnë kujtimin për motrën dhe vëllain të rënë për liri. /IndeksOnline/