12:47 / E Mërkurë, 21 Prill 2021 / B O

Volkswagen ID.4 shpallet ‘Vetura e Vitit 2021’

Volkswagen ID.4 është zgjedhur vetura më e mirë e vitit 2021 në ceremoninë “World Car Awards”, nga një juri prej 93 gazetarëve nga 28 shtete.

Suksesi i fundit i Volkswagenit në këtë garë shënon herën e pestë që brendi ka fituar çmimin kryesor, pas Golfit më 2019 dhe 2013, Polos më 2010 dhe up! më 2012.

Juria arsyetoi vendimin e saj duke lavdëruar Volkswagen ID.4, si veturë tërësisht elektrike, për kujdesin për ambientin dhe veçoritë inovative.

Vetura gjermane ka një çmim prej rreth 40 mijë eurosh. Ajo vjen me sistem që tërheqë me të gjitha rrotat si opsion, ndërsa ka rreth 200 kuajfuqi. Vetura mund të arrijë përshpejtimin deri në 100 kilometra për orë për vetëm 7.6 sekonda.

Në këtë garë, Volkswagen ID.4 mposhti Toyota Yarisin dhe Mercedes-Benz GLA.

Vetura më e mirë luksoze u zgjodh Mercedes-Benz S-Class, ajo urbane u zgjodh Honda e, për dizajnin më të mirë fitoi Land Rover Defender, për performancën fitoi Porsche 911 Turbo.