11:17 / E Premte, 15 Janar 2021 / B O

“Volkswageni” trefishon shitjet e veturave elektrike

Evropa ngutet për të kaluar te veturat elektrike – pavarësisht pandemisë. Veturat elektrike deri tani kanë qenë pjesë e vogël e tregut evropian, por që është rritur me shpejtësi. Sipas Asociacionit Evropian të Prodhuesve të Automobilave, gjatë periudhës korrik-shtator 2020 çereku i 9.9 për qind të veturave të shitura ishin makina mbushëse, kurse një vit më parë ishte 3.0 për qind

Berlin, 14 janar (AP) – Gjiganti gjerman i veturave “Volkswagen” ka trefishuar shitjet e automjeteve me bateri në vitin 2020, kur modeli i ri ID.3 doli në treg para kufizimeve të ashpra të Bashkimit Evropian rreth emetimeve të automobilave. Në Gjermani deri më tani një vend që ka ngecur për t’i adoptuar makinat elektrike më shumë njerëz kanë blerë vetura elektrike në dhjetor sesa kishin zgjedhur më herët makinat me karburant.

Këto janë shenjat e hershme të asaj që ka të ngjarë të jetë një vit i ngritjes së shpërndarjes së tregut për veturat elektrike pasi ligjet e BE-së do ta udhëheqin adoptimin e tyre, pavarësisht rënies ekonomike që e ka shkaktuar pandemia e koronavirusit, që ka ndikuar që në përgjithësi tërë tregu i veturave të tkurret.

“Volkswagen” ka thënë të martën se marka e tij ka shitur 134,000 vetura vitin e kaluar, të cilat marrin energji nga bateritë, kurse 45,000 ishin më 2019.

Duke përfshirë hibridët që kombinojnë një motor me djegie të brendshme dhe një motor elektrik, shitjet e veturave elektrike kanë arritur në 212,000 ndërkaq në vitin 2019 shifra e shitjeve ishte vetëm 82 mijë.

Njoftimi nga “Volkswagen” vjen pasi asociacioni i industrisë së automobilave në Gjermani raporton se një nga katër veturat e shitura në vend në muajin dhjetor ka qenë me motor elektrik, ngritje që ishte mbështetur nga stimujt si pjesë e një pakoje të qeverisë gjatë rënies ekonomike në periudhën e pandemisë COVID-19.

Tejkalimi i veturave të zakonshme

Veturat me bateri dhe ato hibride përfshijnë 26.6 për qind të shitjeve në muajin dhjetor, duke tejkaluar veturat me karburante, që kishin 26.2 për qind shitje. Ky është edhe një hap tjetër mbrapa i makinave me karburante pas skandalit të “Volkswagenit” në vitin 2015, ku doli se veturat me karburante kishin manipuluar duke i mashtruar testet e emetimit.

Veturat elektrike deri më tani kanë qenë pjesë e vogël e tregut evropian, por që është rritur me shpejtësi. Sipas Asociacionit Evropian të Prodhuesve të Automobilave, gjatë periudhës korrik-shtator 2020, çereku i 9.9 për qind të veturave të shitura ishin makina mbushëse, kurse një vit më parë ishte 3.0 për qind. Asociacioni do t’i publikojë statistikat e plota për tërë vitin më 4 shkurt.

Prodhuesit e veturave në BE duhet të shesin më shumë vetura pa emetime në mënyrë që t’i arrijnë kufizimet më të vështira mesatare për emetimet e dyoksidit të karbonit, ku gazet serrë janë fajtorët e parë për ndryshimin klimatik. Këto kufizime kanë hyrë plotësisht në fuqi më 1 janar. Dështimi për ta arritur një mesatare prej më pak se 95 gramë dyoksid karbon për kilometër mund të sjellë gjoba të mëdha.

Modelet krejtësisht elektrike

Shitjet janë shtuar nga stimujt e Qeverisë dhe nga numri i shtuar i modeleve të reja, si ID.3, që janë dizajnuar plotësisht si vetura elektrike, në vend se të konvertohet nga modelet me djegie të brendshme. Dizajni vetëm elektrik do të thotë se do të ketë më shumë hapësirë brenda si një pikë për shitje. Vetura ID.3 nuk do të shkojë në ShBA, pasi “Volkswageni” do të ofrojë makinën sportive ID.4 e krijuar me anë të bazës së njëjtë mekanike.

Ka pasur ngecje të kërkesave për shkak të mungesës së vendeve për t’i mbushur veturat elektrike, përfshirë këtu njerëzit që jetojnë në objekte banesore dhe nuk mund ta vendosin një kuti mbushëse në shtëpi. Asociacioni i automobilave në Gjermani, VDA, ka thënë se ekziston vetëm një stacion publik për mbushje për çdo 17 vetura elektrike.

Kompania “Tesla” me bazë në Kaliforni ka qenë një faktor kryesor në ngritjen e automjeteve elektrike me modelin e saj “Model 3” dhe rrjetin e saj të stacioneve për mbushje të shpejtë.

Qeveria kineze, tregu më i madh në botë i automobilave, gjithashtu po u bën presion prodhuesve të veturave që t’i ulin emetimet.

Ngritja e veturave elektrike ka qenë më e ulët në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku presioni i rregullatorit ka qenë më i dobët dhe ku benzina kushton aq pak sa 2 dollarë për galon, varësisht nga rajoni. Kjo mund të krahasohet me 1.30 euro për një litër gaz, apo 6 dollarë për galon në Gjermani, ku pjesa më e madhe është taksa.