23:04 / E Diele, 19 Nëntor 2017 / indeksADMonline

Votat me kusht, vendim përfundimtar për kryetar të Prishtinës

Janë rreth 1500 vota me kusht dhe 94 vota me postë, ato që do të vendosin se cili do të jetë kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti i Vetëvendosjes apo Arban Abrashi i Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Kjo për faktin, se dallimi ndërmjet dy kandidatëve që garuan në raundin e balotazhit është për  307 vota, që është tepër i ngushtë për 82 mijë votues sa kanë marrë pjesë në zgjedhje, raporton RTK.

Sipas rezultateve preliminare të KQZ-së për zgjedhjet e balotazhit me 100% të votave të numëruara, Shpend Ahmeti i Vetëvendosjes fiton me 50,19 për qind të votave, kurse Arban Abrashit me 49.81 për qind. Ahmeti ka fituar 41.403 vota, ndërsa Abrashi 41.096 vota.

“Votat me kusht në Prishtinë janë 1 mijë e 510, si dhe vota me postë janë 94. Në bazë të përvojave të zgjedhjeve të kaluara votat me kusht kanë shkuar gjithnjë në favor të LDK. Pra, LDK është e bindur që rezultati prej 188 votave është I përmbysshim pas numërimit të votave me kusht”, theksoi Lumir Abdixhiku i LDK-së në një konferencë për media.

Vetëvendosje në anën tjetër e ka shpallur fitoren në kryeqytet.

“E përfunduam numërimin e rezultatit në Prishtinë, dhe mund të konfirmojmë fitoren në Prishtinë, por po duket se lajmi më i madh është se po e konfirmojmë edhe fitoren në Prizren. Shihemi në sheshin ‘Zahir Pajaziti’ në orën 21:30”, theksoi Shpend Ahmeti.

Ndërsa sipas Komisionit Qendror Zgjedhor, për t’u ditur zyrtarisht se kush do ta udhëheq Prishtinën, nevojiten edhe 5 deri në 7 ditë ku do të numërohen votat me kusht.