14:44 / E Premte, 03 Maj 2024 / L K

Vranë njëri-tjetrin? Dyshimet për vdekjen misterioze të çiftit të bashkëshortëve në Shqipëri

Një ditë pasi u zbuluan të pajetë në shtëpinë e tyre në fshatin Bodrisht të Dropullit, vdekja e çiftit Kosta dhe Kleoniqi Ilia vijon të mbetet mister. Të moshuarit, të moshës 84 dhe 88 vjeçe, u gjetën të vdekur nga një fqinje, e cila shkoi për t’i kontrolluar, pasi 88-vjeçarja nuk i përgjigjej në telefon motrës që jeton në Athinë. Dy trupat e pajetë u gjetën me shenja dhune, por ndonëse pista më e mundshme e vdekjes së tyre është ajo e një grabitjeje, hetuesit duket se nuk kanë gjetur të dhëna të mjaftueshme për ta mbështetur këtë pistë.

Kjo pasi në shtëpi nuk u gjetën shenja të përdorimit të forcës për të hyrë brenda, e as sende e orendi të munguara. Ndaj pista që të moshuarit mund të t’i kenë marrë jetën njëri-tjetrit, duket më e mundshme. Gazetarja Dorina Muhaj, e cila përcjell edhe të dhënat më të fundit që ka mësuar rreth kësaj ngjarjeje, thotë se jashtë kamerave, fqinjët pohojnë se bashkëshortët kishin pasur herë pas here konflikte. Kjo edhe për shkak të problemeve të shëndetit mendor që duket se vuante 84-vjeçari Kosta Ilia.

“Fqinja fillimisht ka gjetur Kostën dhe pak metra më larg ka gjetur Kleoniqin. Sipas deklaratës së policisë nuk konstatohet të ketë shenja të cilat të mendohet se mund të kenë hyrë për një grabitje. Pra bie kjo si mundësi duke parë se edhe dyert e dritaret, apo orenditë në shtëpinë e të moshuarve, nuk ka pasur trazira, le të themi. Një tjetër pistë që dyshohet dhe mendohet mund të jetë dhe ajo që të dy të moshuarit mund të jenë vrarë me njëri-tjetrin. Jashtë kamerave, disa prej banorëve kanë thënë se kanë pasur konflikte herë pas here me njëri-tjetrin, për shkak se i moshuari, kohët e fundit kishte shfaqur probleme të shëndetit mendor. Megjithatë rrethanat mbeten ende të paqarta”, raporton gazetarja Muhaj.

Sipas kësaj të fundit, të moshuarit kishin rreth një javë që ishin kthyer nga Greqia, ndërsa për ta kujdesej vajza e motrës së 88-vjeçares, duke qenë se nuk kishin fëmijë.

“Kishin vetëm 1 javë që ishin kthyer në shtëpinë e tyre, pasi kishin qenë në Greqi tek motra e Kleoniqit. Sipas informacioneve që kemi arritur të marrim, na është thënë që ajo që kujdesej për çiftin e të moshuarve, ishte vajza e motrës së Kleoniqit, pasi ata e kishin birësuar, e kishin bërë si fëmijën e vet, duke qenë se çifti nuk kishte mundur që gjatë gjithë jetës të kishin një fëmijë të tyre”, shton gazetarja.

Pavarësisht detajeve, Muhaj thekson se hetimet për ngjarjen në fjalë vijojnë. Do të jenë hetuesit ata që pritet të përcaktojnë shkaqet dhe rrethanat e vdekjes së tyre.