09:55 / E Premte, 22 Mars 2019 / indeksADMonline

Vrasja e 7 vjeçarit, sot të gjithë prindërit po shoqërojnë fëmijët për në shkollë

Vrasja e 7 vjeçarit nga Lipjani në Basel të Zvicrës ka tronditur banorët e asaj pjesë, të cilët po kanë frikë të dalin në rrugë.

Siç raportojnë mediat zviceriane, shumë persona janë mbledhur mëngjesin e së premtes në vendin ku fëmija u sulmua dje me thikë, transmeton Indeksonline.

Sipas mediave, një ditë pas ngjarjes, frika është e pranishme te banorët e kësaj ane. Një nënë, vajza e të cilës kishte parë skenën e tmerrshme tha se fëmija i saj është i frikësuar se mos e njëjta gjë mund të ndodhë edhe me të.

Një nënë tjetër po thotë se ka shoqëruar dy fëmijët e saj njërin 8 dhe tjetrin 10-vjeçar sot gjatë ditës për në shkollë, edhe pse zakonisht ata shkonin vetëm.

“Ishin shumë të frikësuar, prandaj shkova me ta”, deklarohet ajo.

Kujtojmë se dje rreth orës 13:00, derisa po kthehej nga shkolla një 7-vjeçar nga Komuna e Lipjanit u ther me thikë në mes të rrugës nga një 75-vjeçare e cila pranoi krimin para organeve të rendit.