11:23 / E Mërkurë, 18 Tetor 2017 / indeksADMonline

Vrasja e Aulon Zekës: Edhe nga dy muaj paraburgim për dy të dyshuarit

Gjykata Themelore e Prishtinës u ka vazhduar edhe për dy muaj masën e paraburgimit dy të dyshuarve të mitur, për vrasjen e 16-vjeçarit Aulon Zeka.

G. H. i moshës së njëjtë me viktimën Aulon Zekën, dhe R. G., 15-vjeçare, do të qëndrojnë edhe për dy muaj të tjerë në paraburgim, si të dyshuar për vrasjen me katër plumba që tronditi kryeqytetin muajin që shkoi.

Këtë ia kanë konfirmuar Gazetës Express burime nga Gjykata Themelore e Prishtinës. Megjithatë, për vendimin nuk ka pranuar të flasë gjyqtarja Elife Uka.

Ajo tha se në rastet për të mitur informatat mbesin konfidenciale, duke mos pranuar të konfirmojë vendimin që ka nxjerrë.

Burime të Express tregojnë se tashmë vendimi u është dorëzuar edhe Prokurorisë dhe mbrojtjes së dy të dyshuarve të mitur.

As avokati i G. H., Arianit Koci, nuk ka pranuar të flasë për vendimin e Gjykatës.

Ai tha se nuk dëshiron të flasë rreth vendimit “Ndjeshmërisë së rastit dhe pasi kemi të bëjmë me të mitur”.

Ndryshe, Gjykata Themelore e Prishtinës, më 18 shtator të këtij viti kishte caktuar masën prej 30 ditë paraburgim për të dyshuarit e moshës minore G. H. dhe R. G.. Arrestimi i 16-vjeçarit, gjegjësisht 15-vjeçares, kishte ndodhur dy ditë pas vrasjes me katër plumba të prishtinasit Aulon Zeka, po ashtu i moshës 16-vjeçare.

Deri më tash, asnjëri prej të dyshuarve nuk kanë pranuar fajësinë para prokurorit të rastit, që për shkak të moshës së të dyshuarve hetohet nga Departamenti për të Mitur i Prokurorisë Themelore të Prishtinës.

As arma me të cilën u vra i riu nuk është gjetur ende.

Megjithatë, dyshimet e para të hetuesisë kosovare, të bazuara në dëshmi të disa dëshmitarëve nga rrethi shoqëror i dy të rinjve, tregojnë se deri te vrasja ka çuar simpatia e Aulonit për të dashurën e G. H., R. G..

Dyshimet për implikimin e dy minorëve në krimin që ndodhi gjatë fundjavës, rriten edhe nga një fotografi që ka siguruar Gazeta Express, e që hetuesia ka konfirmuar se ka arritur edhe në adresë të tyre.

Në fotografinë e nxjerrë nga një video “live” e Instagramit të R. G., shihen 15-vjeçarja dhe i dashuri i saj, po ashtu i dyshuar, G. H., derisa ky i fundit mban një pistoletë në dorë, me të cilën dyshohet se kryen vrasjen e Aulonit. Në videon që dyshohet së është bërë pas kryerjes së krimit, G. H. shihet se pistoletën e ka vendosur rreth qafës së të dashurës së tij një vit më e vogël.

Vrasja e Aulon Zekës kishte nxitur reagime të mëdha të atyre që e dënuan ngjarjen, madje ka pasur edhe protesta nga familjarë dhe bashkëmoshatarë të viktimës.