16:00 / E Enjte, 04 Maj 2023 / A. M.

Vrasja e Nikulajt, media shqiptare siguron dosjen, organizatori Haxhia përdori të fejuarën si ‘ndërmjetëse’ për…

Report Tv siguron dosjen e plotë të prokurorisë që po heton vrasjen e Ardian Nikulajt në Shëngjin. për herë të parë, dyshime hidhen edhe ndaj të fejuarës së Edmond Haxhisë, porositësit të vrasjes, ndërsa në Lezhë, këtë të enjte, mbërritën prokurorët britanikë, pas arrestimit 4 shtetasve të tyre të dyshuar bashkëpunëtorë.

Përfshirja e 4 britanikëve dhe e shqiptarit me nënshtetësi britanike, Edmond Haxhia që dyshohet se ka organizuar dhe porositur vrasjen e biznesmenit dhe politikanit të njohur Ardian Nikulaj, solli në Lezhë hetuesit britanikë. Një grup prokurorësh anglezë u pritën nga drejtuesi i Prokurorisë së Lezhës, Erjon Shehaj, për të njohur më me detaje dosjen shqiptare të atentatit ndaj Nikualjt dhe provat e pretenduara ndaj britanikëve bashkëpunëtorë.

Edmond Haxhia dhe 3 britanikë janë arrestuar deri më tani, dhe të premten e 5 majit pritet të dalin para gjykatës. Hetuesve britanikë u duhet të binden nga provat për t’i hapur ose jo rrugë ekstradimit. Një tjetër shtetas britanik,. dhe i dyshuari ekzekutor, portugezi Ruben Saravia, vijojnë ende të jenë në kërkim.

Por në dosjen që Report Tv e siguron të plotë, hetuesit shqiptarë janë të bindur se nën urdhrat e Edmond Haxhisë, portugezi ka bashkëpunuar me 4 britanikët për të eliminuar fizikisht Nikulajn në hotelin e tij në Shëngjin, pasi e mbajtën në vëzhgim për një periudhë gati 3 mujore.

Të parat prova që ndihmuan, ishin pamjet e kamerave të sigurisë. Britanikët e dyshuar, që u kamufluan si turistë dhe fjetën në hotelin Coral në pronësi të shënjestrës, komunikojnë me njëri-tjetrin. Lëvizjet e para të dyshimta të njërit prej britanikëve u kuptuan  nga kamerierët e Coral rreth 1 orë e gjysmë para vrasjes. Anglezi lëvizte sa brenda jashtë, i shqetësuar dhe fliste me celular. Kjo sjellje na habiti – shprehen kamerierët në dosjen e siguruar nga Report Tv, por që rëndësinë e këtyre veprimeve të shkujdesura e kuptuan vetëm pas ekzekutimit

Një nga britanikët, Harry Simpson, bënte pagesa ditore për qëndrimin në hotel, çfarë të lë të dyshosh se ishte në pritje për të kryer një detyrë dhe për t’u larguar, siç në fakt edhe bëri. Lidhjen e tij me Edmond Haxhinë, hetuesit e kanë të thjeshtë, pasi kanë në duar pamje nga kamerat e sigurisë së aeroportit në Rinas, ku vetë porositësi i dyshuar i atentatit, e e pret me një automjet, të cilin e kishte marrë me qira në Shkodër, edhe ky moment i fiksuar gjithashtu me pamje nga kamerat.

Në dosje, cilësohet se 2 ditë pas vrasjes më 21 prill, makinën me qira e ka kthyer në Shkodër,  një person me inicialet O.C i cili ka deklaruar para hetuesve, se këtë nder ia kërkoi një miku i tij nga Italia. Në këtë moment del në lojë e fejuara e Edmond Haxhisë, e njëjta që dyshohet se ka blerë motorin në Tiranë, që më tej portugezi e përdori gjatë ekzekutimit.

Dëshmitari ka treguar se miku i tij i dërgoi numrin e kushërirës së tij, që ishte e fejuara e Edmond Haxhisë. I riu e vijon rrëfimin duke treguar se pasi erdhi në Tiranë bashkë me një shok tjetër, u takua me vajzën në sheshin “Skënderbej”. Ajo i ka treguar parkingun ku ishte makina dhe pasi e porositi që të lante makinën para se ta dorëzonte në Shkodër, i ka dhënë edhe një 50 eurosh për shërbimin që po kryente. Kjo pjesë e dosjes hetimore, që Report tv e siguron ngre dyshime të forta se në dijeni për skenarin e vrasjes, mund të ketë qenë edhe e fejuara e Haxhisë, megjithatë, vajza pas ngjarjes është marrë në pyetje, dhe është e lirë.

Nuk dihet ende, nëse edhe kjo fejesë është pjesë e skenarit të atentatit, pasi Haxhia lidhi zyrtarisht dashurinë me të, në fund të nëntorit 2022 kur u kthye pas vitesh në Shqipëri, për të vënë në zbatim planin e vrasjes së Nikulaj, në gjakmarrje prej vitit 1996 me fisin Lekstakaj.

Rolet i të akuzuarve në vrasje
Edmond Haxhia ishte porositësi dhe organizatori i atentatit. Portugezi, Ruben Saravia ishte ekzekutori i planit, personi i shfaqur me motor dhe jelek fosforeshent i cili qëlloi për vdekje me 7 plumba biznesmenin Ardian Nikulaj, e ndërsa 4 britanikët e tjerë kishin rolin e vëzhguesit. I pari mbërriti më 14 shkurt, portugezi Saravia, që në zonën e Lezhës u shfaq si turist. Ai ka qëndruar në shtëpinë e Haxhisë, në Kakarriq. Britanikët, mes të cilëve, çifti Harry Simson dhe Harriet Bridgeman, kanë ardhur njëri pas tjetrit në kohë të ndryshme, të gjithë nën kamuflimin e turistëve, por kanë mbledhur informacione mbi lëvizjet e Nikulajt. Një prej tyre Stiven Hunt ka qëndruar për disa ditë edhe në hotelin “Coral” në pronësi të Nikulajt, siç është edhe një moment i fiksuar në kamera, kur hyn natën në hotel dhe gjen rojën në gjumë. Hunt mendohet se ka arritur të depërtojë edhe në sistemin e kamerave të sigurisë së biznesit duke i dhënë grupit mundësinë të vëzhgojë në kohë reale lëvizjet e biznesmenit. 

Historia e hasmërisë mes 2 fiseve që nisi për 1000 lekë
Hasmëria mes fisit Palaj (Lektasaj) dhe Nikulaj e ka zanafillën në vitin 1996 ku anëtarë të familjes Palaj (Lektasaj) kanë ekzekutuar vëllain e Ardian Nikulaj, pas një konflikti të çastit në një pikë karburanti për 1000 lekë karburant. Pas kësaj vrasje në Lezhë janë ekzekutuar në një atentat dy anëtarë të familjes Palaj (Lektasaj). Sot e kësaj dite kjo ngjarje e rëndë e ndodhur disa vite më parë është e pazbardhur dhe s’ka asnjë autor të dënuar nga drejtësia. Mendohet se vrasja e Nikulajt ka ardhur pikërisht në vazhdën e këtyre krimeve për gjakmarrjeje.

VIDEO, KLIKO KETU