20:25 / E Mërkurë, 05 Shtator 2018 / indeksADMonline

Vrasja në Gjakovë, suspendohen tre zyrtarë policorë

Inspektorati Policor i Kosovës ka hapur rast penale lidhur me dyshimin për kryerje të veprës penale ‘Keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar’.

IPK i ka rekomanduar Policisë së Kosovës suspendimin e tre zyrtarëve policore të Stacionit Policor të Gjakovës deri në përfundim të këtij hetimi penal, transmeton  Indeksonline.

Hetimet në fjalë kanë të bëjnë me rastin e ndodhur në Gjakovë ku bashkëshorti vrau gruan dhe vajzën e tij.

Njoftimi i plotë:

Inspektorati Policor i Kosovës më datë 08.08.2018, sipas detyrës zyrtare ka filluar hetimin preliminar në Drejtorinë Rajonale të Policisë në Gjakovë lidhur me dyshimet për neglizhencë dhe moskryerje të detyrave nga zyrtarët policorë në lidhje me rastin “Vrasje e rëndë” e cili ka ndodhur në fshatin Brekoc – Gjakovë. 

Hetuesit e IPK-së në vazhdimësi kanë ndërmarrë veprime të ndryshme hetimore në konsultim me prokurorin kompetent për të vlerësuar reagimet policore dhe rrethanat e rastit.

Pas mbledhjes së informacioneve nga IPK-ja dhe në konsultim me Prokurorinë Themelore të Gjakovës, Inspektorati Policor ka hapur rast penal lidhur me këtë çështje me dyshimin për kryerjen e veprës penale “Keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar”.

Në përputhje me ligjin e IPK-së si pjesë e procedurës hetimore Inspektorati Policor i Kosovës i ka rekomanduar Policisë së Kosovës suspendimin e tre zyrtarëve policorë të Stacionit Policor të Gjakovës deri në përfundim të këtij hetimi penal.

IPK-ja në konsultim me Prokurorinë Themelore në Gjakovë do ti vazhdojë hetimet dhe analizimin e çdo veprimi apo mos veprimi të zyrtarëve policorë nga DRP-Gjakovë deri në zbardhjen e plotë të kësaj ngjarje.