20:40 / E Premte, 30 Nëntor 2018

Vrasje ‘e lejuar’

Me 24 vite burg u denua Pjetër Ndrecaj për vrasjen e gruas dhe vajzës së tij 9 vjeçare.  Emisoni “Udhëve”,  ka siguruar një letër që pretendohet të jetë e shkruar nga  Valbona Marku Ndrecaj disa ditë para vrasjës së saj, në të cilën ka disa dëshmi rreth veprimeve të burrit të saj, e që për to kishte  dijeni edhe Valbona. Ajo që është e  shkruar në në letër mund të jetë edhe shkaku që ajo u vra nga Pjetri. Në këtë hulumtim për herë të parë rrëfejn familjarët e viktimës, për të gjitha problemet që Valbona kishte pas në shtëpin e Pjetër Ndrecaj.

Kafe e raki ishte shërbyer për miqtë me 7 gusht të këtij viti në shtëpinë e familjes Marku në Brekoc të Gjakovës, por 10 orë më vonë aty ka ndodhur një tragjedi. Pas orës 21,  Valbona Ndrecaj 34-vjeçare dhe vajza e saj 9-vjecare Klara, kishin mbetur të vdekura nga Pjetër Ndrecaj, bashkëshorti dhe babit i tyre.

Emisioni “Udhëve” në RTK, ka siguruar për herë të parë prova që qojnë në vrasjen e Valbona Marku Ndrecajt që pretendohet të jetë e shkruar nga vetë viktima. Në të ka disa dëshmi rreth veprimeve të burrit të saj, e që për to kishte  dijeni edhe Valbona, dhe ato qe janë shkruar në letër mund të jetë edhe shkaku që ajo u vra nga Pjetri.

Kjo letër për shkak të ndjeshmërisë së asaj që është e shkruar,  nuk do të paraqitet e plotë në publik. Ndër të tjerat në të thuhet. “Deshmin teme e keni me shkrim në katër vende te ndryshme edhe nëse unë nuk kom me kanë e nuk kanë mem gjet, e keni dokomentin të vulosur në Polici”, thuhet në përfundimin e letrës së Valbonës”.

Për këtë letër, nuk ka njohuri Prokurori i krimeve të rënda, Agron Matjani. Gjithashtu, kjo letër nuk është e përfshirë as në aktakuzën për vrasje të Valbonës. Në atë aktakuzë, askund nuk ceket motivi i vrasjes së Valbona Marku Ndrecajt si dhe vajzës së saj Klara Ndrecaj.

“Lidhur me letrën e dorëzuar nga Valbona Ndrecaj në Polici, unë si prokurorë nuk kamë pasur njohuri. Dhe as pas pranimit të Kallëzimit Penal nuk është përmendur e as dorëzuar ndonjë letër të Valbonë Ndrecaj”, ka thënë prokurori  Matjani.

Për këtë letër, Policia e Rajonit të Gjakovës thonë se nuk është në dosjet e lëndëve, por ata nuk tregojnë nëse kanë hulumtuar në stacionet Policore të këtij rajoni dhe nëse ka diçka të tillë të dorëzuar.

“Sa i përket pyetjes që keni parashtruar  ju, ne kemi vërtetuar në shkresat respektivisht në dosjet të lëndëve të apostrofuarve gjegjësisht të familjes Ndrecaj me ç’rast duke ju referuar lëndëve dhe personave kompetent nuk kemi pranuar ndonjë dokumentacion të tillë”, thuhet në përgjigjet e Policisë së rajonit të Gjakovës.

Në lidhje me përmbajtjen dhe vërtetësinë e letrës i mbetët Policisë dhe Prokurorisë që të zhvilloj hetime. Dy vëllezërit e Valbonës, për herë të parë, rrëfejnë të gjitha ato që kishte përjetuar motra e tyre në shtëpinë e Pjetrit. Shkelzen Marku, vëllai i madh i Valbonës thotë se motra e tyre ndër vite kishte përjetuar dhunë sistematike nga burri i saj.

Por edhe përkundër dhunës dhe presionit psikik, ai thotë se Valbona ishte një grua e buzëqeshur, që arrinte ta tejkalonte dhimbjen që përjetonte. “Unë  i kam thënë se ne nuk kemi dorë për ty, sepse ti je baba i nipave dhe  mbesave, sepse ai gjatë gjithë kohës ka kërcënuar”, e përshkruan ditën e fundit kur ishte takuar me Pjetrin, Shkelzeni.

Ai thotë se kur Valbona kishte filluar ta tregonte dhunën që po përjetonte, në mesin e burrave familjarë që ishin mbledhur për ti pajtuar Valbonen dhe Pjetrin, edhe pas dhunës së shprehur ndaj saj, Pjetri nuk e kishte lejuar atë të fliste. “E ka përplasë karrigen dhe ka thënë, unë jam ardh këtu me të marrë, dhe jo me të dëgju çka flet, dhe ju ka thënë burrave qonu se më këtu nuk kemi çka me lyp”.

Ai thotë se edhe më herët, para se të keqësohej situata, vëllai i Pjetër Ndrecaj i kishte paralajmëruar ata se “ Jam duke e mbreh thikën në të dy anët, dikush ka me derdh gjakë këtu”. “Vëllau i tij e ka përdorur gjithmonë shprehjen se ne jemi të koritun se na ka ikë gruaja prej shtëpie”.

Sipas Shkëlzenit, Valbona e dinte që ajo nuk kishte jetë në shtëpinë e burrit të saj më. “Valbona ka thënë se ‘e gjallë nuk kthehna në atë shtëpi më’, ‘edhe nëse kthehna më shumë se 24 orë jetë nuk kamë, sepse nuk e dinë njerëzit se unë kam jetu me të dhe si ka mrri situata deri këtu’”.

Sipas Shkëlzenit, në vitin e fundit, Valbona  sa herë ishte në shtëpinë e tyre, ishte shumë e frikësuar për jetën e saj, si dhe, thoshte se Pjetri ishte duke e përcjellë në afërsi të shtëpisë. “Motrat tregojnë se ajo kohëve të fundit ka qenë shumë e frikësuar, dhe ka thënë se nuk kamë me pas jetë më”, shpjegon Shkëlzeni.

“Janë qu natën dhe nuk e kanë gjetë të shtrirë në shtrat, dhe kur e kanë gjetë ka qenë në një qoshe në korridor duke qajt, dhe ju ka thënë mos i ndizni dritat se ai është këtu afër”.

Gjithashtu, Shkëlzeni thotë se Pjetri disa kohë para vrasjes, e kishe lënë edhe një plumb në shtëpinë  tyre, duke thënë se “i vjen rendi edhe kësaj”. Sipas tij, tash edhe fëmija rrëfejnë dhunën që nëna e tyre kishte përjetuar, ndërsa vazhdojnë të jenë të traumatizuar për atë që ju ka ndodhur. Dy vajzat e Valbonës e kanë para me sytë e tyre, vrasjen e Nënës dhe motrës së tyre, si dhe babain duke shtënë në drejtim të të gjithë anëtarëve të familjes Marku.

“Ata thonë se nëse baba s’ka pas mëshirë për Nënën dhe motrën tonë, atëherë as agallarët s’kanë mëshirë për neve”.

Shkelzeni thotë se Pjetri ditën e vrasjes ka shkuar ta eliminoj të gjithë familjen e tyre, sepse në të kanë qenë 14 anëtarë, përfshirë edhe 3 fëmijët e  Pjetrit. Edhe Kujtim  Marku, vëllai i cili edhe i kishte qëndruar gjatë gjithë kohës afër Valbonës, thotë se ata kishin nevojë për siguri nga Policia, që Pjetër Ndrecaj mos të ju ofrohej.

“Kemi lyp mbrojtje prej shtetit, që ai person me na ndejt larg, mos me na kërcënu, mos me na bo shantazh, mos me pas probleme ne me të. Por shteti për nga kjo anë, na ka nejt larg”, thotë Kujtimi.

Ai madje thotë se Valbona e kishte njoftuar Policinë se Pjetri ishte gjatë gjithë kohës i armatosur.  “Na i kemi tregu që ai është një person që nuk rrin kurrë pa pas pistoletë ose automatik në makinë, dhe përgjigja e shtetit u kanë, e Policisë,  në rregull se ne merremi tash më të”, thotë Kujtim Marku.

Por ai thotë se në këtë drejtim ata nuk bënë asgjë. Sipas tij, Policia nuk ka shkuar as tek shtëpia e Pjetër Ndrecaj që ta kërkoj në ditën kritike. “Vajza e madhe ka qen në shtëpi, ajo thotë se nuk ka ardh Polic deri në ora dhjetë të mbrëmjes, pasi ka ndodhur vrasja”.

Ai thotë se Polica kishin shkuar ti merrnin fëmijët pa as një urdhër , kur ata ishin me nënën e tyre. Vëllai i Valbonës thotë se ditën kritike kur kishin shkuar në Polici, Policia nuk ishte marrë mjaftueshëm me raportimin e  Valbones, ani pse në databazat e tyre, e kishin edhe një rast të Pjetër Ndrecaj për dhunë ndaj Valbones.

Për këtë rast ndaj Pjetër Ndrecaj ka edhe aktakuzë të ngritur  nga Prokuroria në Gjakovë. “Valbona ka deklaru se ka dal nga burgu, si ka bo as tridhjet ditë, jam në rrezik prej tij, dhe s’du me mu rreziku familja, sepse është një person që është duke me bërë shantazh, është duke me kërcënuar, dhe nuk rrin pa armë tërë kohën”.

Ai thotë se Policia nuk kishte ditur as si ta klasifikojë rastin, shantazh apo kërcënim. Për vrasje të dyfishtë që Pjetër Ndrecaj kreu, ai u dënua nga Gjykata Themelore në Gjakovë me vetëm 24 vite heqje lirie.

“Unë e di që dy anëtarë të familjes i kamë të humbur. Edhe vajzën e vogël aksidentalisht, dhe unë e pranoj fajësinë. Për të dy veprat penale e pranoj fajësinë, i penduar jam”, kanë qenë edhe fjalët e Pjetrit në seancën gjyqësore, kur edhe pranoi fajësinë.

Temat:
Mos i humb