16:59 / E Martë, 16 Prill 2024 / Gj. Sh

Vrasjet e grave, Szunyog: Kosova duhet të ndërmarrë veprime urgjente

Shefi i BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, ka reaguar pas një grua u vra nga burri i saj në mëngjesin e së martës në Pejë.

Szunyog, mes tjerash thekson se Kosova duhet të ndërmarrë veprime urgjente për të parandaluar rastet e tjera të kësaj natyre.

“Sot u zgjuam me lajmin tronditës për një tjetër femicid”.

“Kosova duhet të ndërmarrë veprime urgjente dhe vendimtare për të siguruar: – parandalimin dhe mbrojtjen e grave që janë viktima të dhunës. – hetime të shpejta, gjykim në kohë të çështjeve dhe dënim efektiv”, shkroi Szunyog në rrjetin e tij social në platformën X.

Ai thekson në fund se koha për të vepruar është tani.

Përndryshe, brenda pesë ditësh janë vrarë dy gra. Me datën 12 prill Erona Cokli u vra nga ish-bashkëshorti i saj në Qendrën për Punë Sociale në Ferizaj.