21:20 / E Premte, 23 Nëntor 2018 / indeksADMonline

Vuçiq e pranon se janë dëmtuar me taksën – Flet për Haradinajn, Thaçin dhe Veselin!

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq është deklaruar përsëri rreth taksës doganore të vendosur nga Republika e Kosovës për shtetin e Serbisë dhe Bosnjës.

Në një konference me gazetarë të mbajtur në orët e mbrëmjes së sotme, ai ka thënë se vendimi i Haradinajt është bërë në koordinim të plotë me presidentin  Hashim Thaçi dhe kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli.

Deklarata e Haradinajt se vendimi nuk do të tërhiqet deri në njohje të pavarësisë, sipas Vuçiqit, nuk është e rastësishme.

“Vendimi i Haradinajt mori pëlqimin edhe të deputetëve të Hashim Thaçit dhe Kadri Veseli që kjo taksë të jetë 100 për qind. Ata kanë thënë se do të shkojnë deri në fund me këtë masë. I keni parë billbordet e Haradinajt se tash Kosova është shtet 100 për qind”, është shprehur Vuçiq.

Kjo, sipas presidentit serbë, po bëhet vetëm e vetëm për përdorin dhe konsum ditor politik, transmeton Indeksonline

“Ata po i bëjnë punët bashkë dhe te sinkronizuar, polici i mirë Hashimi, polici i keq Haradinaj”, tha ai.

Vuçiq ka tërhequr vëmendjen se Beogradi zyrtar nuk  do të pranojë asnjë nga kushtet e Kosovës.

“Tërhiqeni masat. Kur të hiqen ato ne jemi gati të bisedojmë për të gjitha temat. Nuk ka presion ndaj Serbisë që mund të na shtyjë të pranojmë kushtet e tyre”, tha ai.

Megjithatë, Vuçiq nuk ka lënë pa përmendur se masat e Qeverisë së Kosovës kanë kërcënuar seriozisht  zhvillimi ekonomik të Serbisë dhe Bosnje dhe Hercegovinës.

“Ne do të koordinohet me Bosnjën që kjo të tejkalohet…”, ka deklaruar ai në konferencën e mbajtur në Beograd. /Indeksonline/