75 Mall Live Search
13:43 / E Premte, 25 Maj 2018 / indeksADMonline

Vuçiq flet për Kosovën me raportuesin e Serbisë në BE

Serbia është e gatshme të flasë me shqiptarët në çdo kohë, por ka pritshmëri që marrëveshja e Brukselit të zbatohet.

Kështu u shpreh presidenti serb Aleksandar Vuçiq në një konferencë të përbashkët me raportuesin e Serbisë në Parlamentin Evropian, David McAllister.

Sipas Vuçiqit, shqiptarët kanë thënë se nuk e kanë për qëllim përmbushjen e obligimeve të dala nga marrëveshja e Brukselit, që sipas tij tregon se pala shqiptare ka kurajë dhe guxim, mirëpo gjithashtu edhe mbështetjen e dikujt.

“Çka kemi bërë në qe pesë vite, nëse ata nuk duan që t’i përmbushin obligimet e tyre? Ne i kemi përmbushur tonat, nga i pari te i fundit. Ata vazhdimisht thonë qe nuk e kemi përmbushur për energjinë (marrëveshjen). Por, nuk ka marrëveshje aty. Unë kam qenë i pranishëm në çdo takim, e di çfarë kemi nënshkruar, dhe çka jo”, tha Vuçiq, përcjell KosovaPress.

Kurse McAllister tha se viti 2018 është një vit tejet i rëndësishëm për Serbinë dhe regjionin dhe se BE-ja ka rifuqizuar interesimin për Ballkanin Perëndimor, duke ofruar kështu mundësi që i gjithë regjioni të ketë perspektivë euroatlantike.

“Jam shumë i sigurt se Serbia do të përfitojë nga ky momentum. Tani nevojitet një shtysë e fortë politike për të dërguar përpara reformat në sundimin e ligjit, drejtësi dhe në reforma fundamentale të të drejtave”, u shpreh ai, pas takimit me Vuçiqin.