09:01 / E Enjte, 04 Korrik 2019 / indeksADMonline

Vuçiq i shkruan letër Trump-it, nuk harron ta përmendë Kosovën

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq ka uruar Shtetet e Bashkuara të Amerikës për shënimin e pavarësisë.

Përmes një letre drejtuar presidentit amerikan, Donald Trump, Vuçiq ka falënderuar atë për mbështetjen e dhënë në përpjekjet e Serbisë për të promovuar një politikë paqeje dhe bashkëpunimi në Ballkanin Perëndimor.

“Pranoni urimet e mia më të sinqerta në Ditën e Pavarësisë, festën kombëtare të ShBA-së. Urimet më të mira për përparimin e mëtejshëm të vendit tuaj dhe mirëqenies të të gjithë qytetarëve. Çdo katër korrik, qytetarët e ShBA-së festojnë vlerën universale, të shkruar në Deklaratën e Pavarësisë të miratuar 243 vjet më parë. Vlerat kryesore që përbëjnë kombin amerikan dhe fuqia që shfrytëzohet për të dhënë shpresë janë të rëndësishme për të gjithë që përpiqen për lirinë, barazinë dhe prosperitetin”, ka shkruar ndër të tjerash Vuçiq.

Ai shtoi gjithashtu se tani është mundësia që marrëdhëniet në mes Serbisë dhe Amerikës të zhvillohen përmes dialogut dhe forcimit të bashkëpunimit ekonomik.

“Shpresoj që dëshira për marrëdhënie më të forta dhe të pasura serbo-amerikane është e ndërsjellë dhe në të ardhmen ne të kujtojmë atë që na lidh më tepër”, shtoi ai.

Vuçiq tha se ndër të tjerash falënderon ShBA-të për mbështetjen e ofruar për gjetjen e një zgjidhje në kuadër të dialogut me Prishtinën.

Në këtë letër Vuçiq gjithashtu ka ripërsëritur dëshirën e tij që Trump të vizitojë Serbinë, gjë kjo e cila është deklaruar disa herë radhazi nga ai./Indeksonline/