22:38 / E Premte, 19 Tetor 2018 / indeksADMonline

Vuçiq kundërshton ushtrinë e Kosovës – Çfarë thotë Daut Haradinaj?

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Daut Haradinaj i pyetur për reagimet e Beogradit zyrtar dhe presidentit Aleksandar Vuçiq për formimin e ushtrisë, Haradinaj ka deklaruar se nuk i bën përshtypje se çfarë thotë Vuçiq, pasi që Kosova është shtet i njohur nga 115 shtete të botës, të cilat e kanë njohur Republikën e Kosovës pa kushte.

Edhe për reagimin e deputetëve serbë gjatë miratimit të tri projektligjeve për ushtrinë, Haradinaj tha se ishte modest, i përmbajtur dhe nuk ishin shumë agresivë, duke deklaruar se Kosovës më shumë i nevojitet zhvillim ekonomik sesa ushtri, por këto deklarata sipas tij i kanë nga presioni i zyrtarëve të Beogradit.

Sa i përket procesit të formimit të ushtrisë dhe kohës që kjo ka marrë për t’u futur në funksion, Haradinaj ka deklaruar se është i kënaqur, për shkak të realitetit i cili është në Kosovë, pasi dëshira e tij ka qenë që në vitin 1999 kur është bërë demilitarizimi i UÇK-së dhe transformimi i tij në TMK, të formohej ushtria e Kosovës.

Haradinaj deklaron se nëse shikojmë vitet, Kosova ka humbur shumë vite pa një mekanizëm, e në rrethanat që jemi sot është një arritje shumë e madhe, me të cilën duhet të ndihen krenarë të gjithë njerëzit në Kosovë.