Vuçiq në Mitrovicë: Duhet të bëjmë marrëveshje me shqiptarët
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq në një fjalim të gjatë para serbëve të mbledhur në Veri të Mitrovicës ka thënë se ka ardhur këtu që ta thotë të vërtetën.
“Kam ardhur të tregoj të vërtetën për situatën e vështirë sepse të hesht nuk mund as nuk guxoj. Me javë e muaj po përsërisin se si dikush është përgatitur që të pranojë pavarësinë e Kosovës, unë këtu iu them të gjithëve se kjo është rrenë dhe nuk do të ndodhë. Nuk dëshirojë të ndryshojë kufijtë vetëm të drejtat e serbëve në Kosovë. Dua që ju t’i gëzoni të gjitha të drejtat që u takojnë. Dua të drejtën e juve për jetë, punë dhe liri të lëvizjes. Për këto të drejta do të bëjmë kompromise”, ka deklaruar Vuçiq.
Presidenti serb ka thënë se ideja e tij është që Serbia ta ruajë popullin, tokën dhe institucionet e saj, ta ruajë po ashtu paqen dhe të tentojë që të krijojë ura miqësie me shqiptarët.
“Duhet të jetojmë bashkë, pranë njëri-tjetrit. Duhet të merremi vesh. Në një të ardhme duhet të arrijmë marrëveshje me shqiptarët. Nuk do të jenë lehta as për ata as për neve. Por duhet të kemi më shumë fëmijë edhe të atyre dhe tanët që do të jetojnë këtu”, ka thënë Vuçiq.
Ai ka thënë se puna e tij nuk është “Kosova pa shqiptarë” e as pa serbë dhe puna e tij është në këtë e jo “në Serbinë qiellore”.
“Për këtë qiell veq kemi djegur dhe thyer kokat. Për këtë sot flas për realitetin dhe nuk këndoj këngë të luftërave. Premtoj se askujt nuk do t’i lejojmë që armët t’i përdorin kundër nesh”, tha Vuçiq.
Gjatë fjalimit, ai ka thënë se edhe ish presidenti i ish Jugosllavisë Sllobodan Millosheviq ka qenë lider i madh serb, por dëshirat e Serbisë në atë kohë nuk kanë qenë reale dhe Serbia nuk e ka kuptuar se nuk është vetëm në këtë botë dhe se për botën nuk mundet të paguhet çmim.
“Para 30 vitesh qindra-mijëra njerëz, ishin mbledhur që ta dëgjojnë fjalimin e Millosheviqit. Këndoi populli unë me besim dhe krenari, ‘Kush gënjen dhe kush thotë se Serbia është e vogël”, duke shtuar se pas kësaj Serbinë e pritën tri luftëra dhe se serbët u vranë në Knin, Sarajevë dhe Prishtinë, dhe se sot në Knin fluturojnë “shahistët”, në Sarajevë numri i serbëve është përgjysmuar ndërsa në Prishtinë jetojnë vetëm disa serbë”, ka thënë ai.
Vuqiq ka thënë se Serbia sot mund të zgjedh rrugën e saj, atë për Evropë.