Vuçiq nga Stambolli thotë se s’ka zgjidhje për Kosovën pa “aminin” e Serbisë
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq nga Stambolli është deklaruar përsëri se çështja e Kosovës nuk mund të zgjidhet, apo asnjë problem tjetër që lidhet mes dy vendeve pa pëlqimin e Serbisë.
I pari i Serbisë, ka thënë se nuk di diçka nëse Franca, Amerika, Gjermania dhe Rusia janë marrë vesh për ndonjë takim në Paris me rastin e Ditës së Fitores, ku temë mund të ishte Kosova.
“Nuk e di nëse fuqitë e mëdha do të merren me Kosovën dhe Metohinë në Paris”, tha Vuçiq, shkruan Tv Most, përcjellë Indeksonline.
“Mendoj se është menduar mënyra se si të flitet me Hashim Thaçin…si fuqitë e mëdha do të ulen dhe ta zgjidhin këtë çështje. Pjesëmarrja e Serbisë nuk mund të zgjidhë problemin, secili mund të ndihmojë, disa të tërhiqen, por që pa pjesëmarrjen e Serbisë nuk mund të bëhet asgjë”, ka thënë më tutje Presidenti serb.
Ndryshe, gazeta beogradase “Blic” ka shkruar së fundi se bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë përfundimisht do të mund të përafrohen më 11 nëntor në Paris, ku presidentët e Serbisë dhe Kosovës, Aleksandar Vuçiq respektivisht Hashim Thaçi, do të mund të flasin me katër liderët më të fuqishëm në botë.
Sipas gazetës në fjalë, në takimin e madh në Paris, në të cilin do të mblidhen më shumë se 60 krerë shtetesh, Vuçiq me siguri do të takohet me presidentin francez Emmanuel Macron dhe kancelaren gjermane Angela Merkel, ndoshta edhe me Hashim Thaçin, si dhe me presidentët e SHBA-së dhe Rusisë, Donald Trump dhe Vladimir Putin.