15:20 / E Enjte, 05 Dhjetor 2019 / indeksADMonline

Vuçiq rrugës së Millosheviqit, thotë se masakra e Reçakut ishte trillim nga Walker

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka reaguar pasi Gjykata e Kosovës ka dënuar me 2 vite burg ish-ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal, Ivan Todosijeviq, transmeton Indeksonline

Sipas tij, masakra e Reçakut ishte trillim. “Është e frikshme. Të gjithë anëtarët e Listës Serbe do të përsërisin të njëjtën gjë, dhe unë e përsëris tani – krimin e fabrikuar në Reçak, ku gjithçka u falsifikua nga ai mashtrues me flokë të bardhë, një mashtrues si Walker, një mashtrues Hochstapler”, tha Vuçiq.

Ndryshe, ish-ministri i Administratës dhe Pushtetit Lokal (MAPL), Ivan Teodosijeviq, është dënuar me dy vjet burgim, pasi është shpallur fajtor për deklaratat që i kishte bërë në lidhje me shqiptarët dhe masakrën e Reçakut.

Lidhur me këtë, ai akuzohej për veprën penale “nxitje e urrejtjes, përçarjes ose mos durimit kombëtar, racor, fetar apo etnik”.

Aktgjykimi ndaj tij, është shpallur të enjten nga Gjykata Themelore e Prishtinës.

Sipas kryetarit të trupit gjykues, Musa Konxheli, ekzekutimi i dënimit me burgim, do të bëhet pasi aktgjykimi të bëhet i plotfuqishëm.

Ai është obliguar që në emër të shpenzimeve të paguajë paushallin gjyqësor 50 euro dhe në emër të fondit të viktimave 50 euro të tjera, të cilat do të paguhen pas 30 ditësh, pasi që aktgjykimi të bëhet i formës së prerë. Gjykatësi Konxheli, ka thënë se arsyetimin e këtij aktgjykimi në detaj do ta japin në formë të shkruar dhe me kohë do t’u dërgohet palëve.