17:38 / E Martë, 03 Maj 2022 / k.v

Vuçiq thotë se “druan” nga bisedimet me Scholzin

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se “ka trembë” përpara udhëtimit në Berlin, ku pritet të takohet me kancelarin gjerman, Olaf Scholz.

Duke folur gjatë një vizite në Greqi, Vuçiq tha se “druan” nga bisedimet me Scholzin dhe se nuk pret që ato “të jenë të lehta”.

Scholz ka ftuar Vuçiqin dhe kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, në bisedime të ndara, më 4 maj.

Atyre do t’iu bashkëngjitet edhe përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian në dialogun midis Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak.

Lajçak pritet të zhvillojë edhe një takim të përbashkët me Kurtin dhe Vuçiqin.

Nëse realizohet, ky do të jetë takimi i parë Kurti-Vuçiq që nga korriku i vitit të kaluar, kur palët janë takuar në Bruksel, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.

Nga Qeveria gjermane kanë thënë së voni se Kosova dhe Serbia duhet të bëjnë përparime në procesin e dialogut.

Dy vendet janë të angazhuara në këtë dialog qysh në vitin 2011 dhe kanë arritur dhjetëra marrëveshje.

Megjithatë, shumë prej tyre nuk kanë gjetur zbatim në terren.