10:56 / E Martë, 26 Dhjetor 2017 / indeksADMonline

Vuçiqi: Dialogu vazhdon dhe do të bëhet siç thotë Serbia

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se vazhdimi i dialogut në Bruksel, për sa i përket pjesëmarrësve, do të bëhet siç thotë Serbia.

Ai në një intervistë për televizionin “Pink” ka potencuar se shqiptarët në Kosovë nuk kanë punuar asnjëherë në mënyrë të pavarur për veten e tyre.

“Ne vazhdojmë bisedimet, por nuk do të ndodhë si ju dëshironi, sepse pyetet edhe Serbia. Do të jetë ashtu si Serbia do të thotë. Jo sepse ashtu dëshiron, por se ofron kompromis”, tha kreu i shtetit serb.

Ndryshe, drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, ka folur për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës e Serbisë.

Sipas politikanit serb, zgjidhja e çështjeve pronësore në Kosovë do të jetë një nga kërkesat kryesore të palës serbe për të arritur normalizimin gjithëpërfshirës të marrëdhënieve me Kosovën.

Gjithashtu, ai tha se në vijim të dialogut të Brukselit, Beogradi do të kërkojë një rishikim të procesit të privatizimit në Kosovë.

Ndërsa, UNMIK-un dhe EULEX-in do t’i trajtojë edhe zyrtarisht si organizata të ngarkuara me menaxhimin e përkohshëm të Kosovës.